Presidenti Recep Tayyip Erdoğan u takua në Kompleksin Presidencial me kryeministrin e Irakut, Ali ez-Zeydi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi. Pas takimit, Erdoğan deklaroi: “Fqinji ynë Iraku thotë: ‘Mund t’ju japim 1 milion fuçi naftë në ditë’. Nuk ka nevojë të varemi nga vendet e tjera.”
Në deklaratat e tij pas takimit me kryeministrin irakian Ali ez-Zeydi, Presidenti Erdoğan theksoi se marrëdhëniet Turqi-Irak duhet të fuqizohen në shumë fusha, veçanërisht në energji, industrinë e mbrojtjes, tregti dhe zhvillimet rajonale. Ai theksoi se stabiliteti i Irakut është i rëndësishëm edhe për sigurinë e Turqisë dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve do të çohet në një nivel edhe më të lartë.
Duke kujtuar se edhe me ish-kryeministrin Muhammed Shia es-Sudani kishin ndërmarrë hapa strategjikë për forcimin e marrëdhënieve mbi baza institucionale, Erdoğan tha se beson që këtë momentum do ta çojnë edhe më tej me Zeydin. Ai shtoi se Turqia është e gatshme t’i ofrojë mbështetje Zeydit në çdo fushë ku ai ka nevojë.
Erdoğan tha se marrëdhëniet i kanë shqyrtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse mbi bazën e kësaj vëllazërie.
“Shkëmbyem mendime për zhvillimet rajonale, në veçanti për Iranin, Sirinë dhe Palestinën. Pak më parë, në praninë tonë, u nënshkruan dokumente që do t’i çojnë marrëdhëniet tona edhe më tej”, deklaroi ai.
Erdoğan theksoi se, për shkak të atmosferës së luftës në afërsi të Turqisë, në bisedime një vend të rëndësishëm zunë çështjet e sigurisë, luftës kundër terrorizmit, energjisë dhe transportit.
“Fqinji ynë Iraku, fatkeqësisht, është një nga vendet më të prekura nga kjo atmosferë lufte dhe paqëndrueshmërie. Ne asnjëherë nuk e kemi ndarë paqen dhe stabilitetin e Irakut nga gjendja e vendit tonë dhe as nuk do ta bëjmë këtë. Po punojmë që rajoni ynë të mos përmendet më për luftë, terror dhe konflikte, por për zhvillim, mirëqenie, paqe dhe stabilitet. Jemi në dialog të ngushtë me vëllezërit tanë irakianë për realizimin e procesit tonë për një Turqi pa terror dhe vizionit për një rajon pa terror. Me lejen e Zotit, këtë çështje, e cila u ka kushtuar rëndë të dyja vendeve, do ta heqim përgjithmonë nga agjenda jonë. Nga ana tjetër, jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë edhe për furnizimin e Irakut me produktet e industrisë së mbrojtjes për të cilat ka nevojë.”
“Synimi ynë është nënshkrimi sa më shpejt i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për bashkëpunim energjetik”
Presidenti Erdoğan theksoi se atmosfera aktuale e luftës i ka shtyrë të thellojnë bashkëpunimin jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në energji dhe transport.
“Shohim se Projekti i Rrugës së Zhvillimit, i cili synon lidhjen e rajonit të Gjirit me botën përmes Irakut, është bërë më i rëndësishëm se kurrë përballë zhvillimeve aktuale”, tha Erdoğan.
Ai vazhdoi: “Me kënaqësi vërejta se edhe zoti kryeministër ka një vullnet të fuqishëm në këtë drejtim. Një tjetër temë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë është energjia. Marrëveshja e Tubacionit të Naftës së Papërpunuar Turqi-Irak përfundoi dje. Tani synimi ynë është që sa më shpejt të nënshkruajmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për bashkëpunimin energjetik, e cila do të jetë në dobi të të dyja palëve. Kompanisë Turkish Petroleum i është dhënë pjesëmarrje në fushën e prodhimit në Kirkuk, ku operator është British Petroleum. Marrëveshja e nënshkruar sot përbën një hap historik për partneritetin në fushën e energjisë.”
Erdoğan tha se, si dy vende fqinje të prekura nga ndryshimet klimatike, ekziston një vullnet i plotë për avancimin e bashkëpunimit në përdorimin e qëndrueshëm të ujit.
Duke theksuar se Turqia po bën pjesën e saj në këtë drejtim dhe se çështjen e ujit e konsideron si një fushë të përhershme bashkëpunimi mbi baza racionale, shkencore dhe humane, Erdoğan tha:
“Dëshirojmë që vëllimin tonë tregtar me Irakun, i cili vitin e kaluar iu afrua 17 miliardë dollarëve, ta çojmë në nivele shumë më të larta. Në këtë kuadër, dua të theksoj se e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe takimin e ministrave të delegacionit të zotit kryeministër me një delegacion të gjerë të përbërë nga biznesmenët, kontraktorët dhe investitorët tanë.”
“1 milion fuçi naftë nga Iraku do t’i plotësonin nevojat tona”
Erdoğan tha se me kënaqësi kishin konstatuar se pikëpamjet e tij dhe të kryeministrit irakian Zeydi për zhvillimet aktuale rajonale përputhen në masë të madhe. Ai shtoi se Turqia i konsideron përpjekjet për integrimin e Irakut me rajonin, veçanërisht kontaktet e tij me Sirinë, si hapa konstruktivë dhe i mbështet ato.
Duke theksuar se turkmenët e Irakut janë pjesë e pandashme e pasurisë njerëzore të Irakut dhe një nga themelet më të forta të vëllazërisë mes dy vendeve, Erdoğan tha se kishte parë që edhe Zeydi i qaset kësaj çështjeje me ndjeshmëri.
“E konsideroj veçanërisht domethënës faktin që në delegacionin e tij ka përfshirë vëllain tonë Selman Ağaoğlu, kryetar i përgjithshëm i Frontit Turkmen të Irakut dhe guvernator i Kirkukut. E falënderoj edhe një herë zotin Zeydi për vizitën dhe uroj që konsultimet tona dhe vendimet që kemi marrë të sjellin të mira”, deklaroi Erdoğan.
Presidenti Erdoğan bëri të ditur se kryeministri irakian Ali ez-Zeydi gjatë fjalimit të tij kishte thënë: “Ne mund t’i japim Turqisë 1 milion fuçi naftë në ditë.”
“Po thotë: ‘Mos u varni nga të tjerët’. Një milion fuçi. Po, zoti ministër, nuk ka nevojë



















