Inna Vernikov, anëtare republikane e Këshillit Bashkiak të New York-ut, i ka dërguar një ftesë zyrtare kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të vijë në New York më 1 janar, ditën kur kryebashkiaku i ri i qytetit, Zohran Mamdani, do të marrë detyrën.
Në letrën e saj dërguar Qeverisë së Izraelit, Vernikov ka kritikuar deklaratat e Mamdanit, duke i cilësuar ato si “absurde dhe të papërgjegjshme”. Mamdani më parë kishte deklaruar se, nëse Netanyahu vjen në New York, ai do të kërkojë arrestimin e tij.
Vernikov e ka përshkruar Izraelin si “fener shprese, lirie, vlerash perëndimore, qëndrese dhe force.”
Ajo shkroi: “Pavarësisht retorikës helmatisëse të radikalëve marksistë si Mamdani, vizita juaj do të shërbente si një kujtesë e fuqishme se ky qytet qëndron përkrah Izraelit, popullit hebre dhe parimeve që bashkojnë dy kombet tona.”
Nga ana tjetër, gjatë fushatës zgjedhore Zohran Mamdani ka dënuar hapur gjenocidin izraelit në Gaza dhe ka theksuar se Netanyahu, ndaj të cilit ekziston ende urdhër arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duhet të arrestohet nëse hyn në New York.
Duhet theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë palë e Statutit të Romës, ndaj juridikisht nuk janë të detyruara të arrestojnë Netanyahun apo çdo person tjetër të kërkuar nga kjo gjykatë.


















