Policia portugeze kap në Oqeanin Atlantik një nëndetëse me 1.7 ton kokainë që po transportohej drejt Evropës

Katër persona janë arrestuar pasi autoritetet portugeze kanë ndaluar një nëndetëse që transportonte mbi 1.7 ton kokainë në mes të Oqeanit Atlantik, raporton BBC.

Mjeti gjysmë i fundosur ishte nisur drejt Gadishullit Iberik dhe u kap gjatë ditëve të fundit, sipas njoftimit të zyrtarëve. Pamjet tregojnë policinë dhe marinën portugeze duke rrethuar mjetin para se të hipnin në bord, të sekuestronin drogën e klasës A dhe të arrestonin katër anëtarët e ekuipazhit, të cilët dyshohet se vijnë nga Amerika e Jugut.

Të arrestuarit — dy ekuadorianë, një venezuelian dhe një kolumbian — u dërguan në paraburgim pas paraqitjes në gjykatë në Azore, njoftoi policia.

Shefi i njësisë kundër trafikimit të drogës, Vítor Ananias, deklaroi në konferencë për shtyp se kombësitë e ndryshme të të arrestuarve tregojnë se rrjeti kriminal pas tyre nuk është i bazuar vetëm në një vend.

Sipas Qendrës për Analizë dhe Operacione Detare (MAOC) me seli në Lisbonë, ata kishin marrë informacione se një organizatë kriminale po dërgonte një nëndetëse të mbushur me kokainë drejt Evropës.

Pas disa ditësh kërkimesh, një anije portugeze e lokalizoi nëndetësen rreth 1.000 milje detare (1.852 km) larg bregut të Lisbonës, në një operacion të mbështetur nga Agjencia Kombëtare Britanike e Krimit (NCA) dhe Administrata Amerikane e Luftës kundër Drogës (DEA).

Pas sekuestrimit, marina njoftoi se për shkak të motit të keq dhe strukturës së brishtë të mjetit, nuk ishte e mundur që ai të tërhiqej deri në breg — ndaj nëndetësja u fundos në det të hapur.

“Mes vapës, avujve toksikë dhe dallgëve të larta, qëndrimi edhe për një ditë të vetme në bord është shumë i vështirë. Pas 15 apo 20 ditësh, gjithçka që dëshiron është të dalësh prej andej,” tha Ananias.

Autoritetet portugeze theksuan se incidente të tilla janë bërë të përsëritura vitet e fundit. Vetëm në mars të këtij viti, një mjet i ngjashëm që transportonte 6.5 ton kokainë u kap rreth 1.200 milje detare nga Lisbona.

Kategoritë
BotaLajme