Po vazhdon kaosi në Turqi: Nën hetim 1.024 futbollistë, mes tyre edhe një yll i kombëtares

Futbolli turk po përballet me një nga skandalet më të mëdha ndonjëherë. Pas nisjes së hetimeve ndaj 371 gjyqtarëve, tani janë pezulluar mbi 1.000 futbollistë – saktësisht 1.024 prej tyre.
Bëhet fjalë për një hetim të madh për bastet sportive. Vetëm disa ditë më parë, presidenti i Federatës, Ibrahim Haciosmanoğlu, konfirmoi se nga 371 gjyqtarët e përfshirë në sistemin turk të futbollit, 152 kanë marrë pjesë në baste.

Mes tyre, shtatë gjyqtarë janë të nivelit elitar dhe kanë gjykuar ndeshje të Superligës turke.

Tani hetimet janë zgjeruar edhe te futbollistët, dhe si rezultat janë pezulluar më shumë se 1.000 prej tyre. Emri më i njohur midis tyre është ylli i Galatasarayt dhe i kombëtares turke, Eren Elmalı.

Gjyqtarët në Turqi kanë shkaktuar kaos me bastet sportive – njëri prej tyre kishte vendosur më shumë se 18.000 baste.

Futbollisti 25-vjeçar reagoi menjëherë në Instagram dhe pranoi se pesë vjet më parë kishte vendosur një bast për një ndeshje që nuk përfshinte ekipin e tij të atëhershëm.

Janë pezulluar edhe të gjithë kampionatet e kategorisë së tretë dhe të katërt të futbollit turk. Kampionatet do të ndërpriten për dy javë derisa të përfundojë hetimi. Ndërkohë, ndeshjet e kategorisë së parë dhe të dytë do të vazhdojnë normalisht, sipas kalendarit të planifikuar.

Në hetim janë përfshirë edhe presidenti i klubit të Eyüpsporit dhe ish-pronari i Kasımpaşës, të cilët tashmë janë marrë në pyetje.

Eren Elmalı, i cili është figura kryesore e këtij skandali, menjëherë është përjashtuar nga kombëtarja. Ai ishte në listën për grumbullimin e ardhshëm, por u hoq menjëherë.

Thirrjet janë anuluar edhe për Izzet Çelikun, që ishte ftuar në kombëtaren U-21, dhe për Ege Albayrakun, që ishte në listën e U-19. Të dy janë përfshirë në skandal dhe janë pezulluar.

Kategoritë
Sport