Planifikohen protesta masive në Izrael për të kërkuar kthimin e pengjeve edhe me koston e përfundimin të luftës

Familjet kërkojnë nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu që t’i japë përparësi lirimit të pengjeve nga Gaza, të gjallë apo të vdekur, edhe nëse kjo nënkupton ndalimin e sulmeve në enklavën palestineze

Familjet e pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza kanë njoftuar planet për demonstrata masive për nesër në të gjithë Izraelin, me qëllim për t’i bërë presion qeverisë për të siguruar një marrëveshje që garanton kthimin e pengjeve, edhe nëse për këtë nevojitet përfundimi i luftës në Gaza, transmeton Anadolu.

Familjet e pengjeve izraelite në rrjetet sociale njoftuan se “dhjetëra tubime dhe protesta do të mbahen në mbarë vendin për të kërkuar kthimin e pengjeve”, si dhe theksuan se demonstrata kryesore është planifikuar të zhvillohet në Tel Aviv.

Familjet kërkojnë nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu që t’i japë përparësi lirimit të pengjeve nga Gaza, të gjallë apo të vdekur, edhe nëse kjo nënkupton ndalimin e sulmeve në enklavën palestineze.

Protestat përkojnë me mospajtimin në rritje mbi politikat e luftës nga Netanyahu. Grupi palestinez Hamas ka deklaruar gatishmërinë për të filluar menjëherë “paketën gjithëpërfshirëse të negociatave” për lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të një armëpushimi të përhershëm dhe një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza.

Izraeli ka vrarë të paktën 51 mijë palestinezë në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit të vitit 2023 nga Hamasi, që sipas Izraelit morën jetën e të paktën 1.200 njerëzve dhe rreth 251 të tjerë u morën peng.

Ushtria izraelite në muajin mars rifilloi ofensivën e saj tokësore dhe ajrore në Gaza, duke braktisur armëpushimin e janarit dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve, e cila u arrit pas ndërmjetësimit të SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit.

Zyrtarët izraelitë thonë se ofensiva do të vazhdojë derisa të lirohen 59 pengjet e mbetura.

Sipas një sondazhi të botuar sot nga gazeta izraelite Maariv, 62 për qind e izraelitëve mbështesin lirimin e të gjitha pengjeve përnjëherë, madje edhe me koston e përfundimit të luftës dhe tërheqjes nga Gaza.

Ndërkohë, një numër i madh izraelitësh kanë nënshkruar peticione të shumta duke kërkuar kthimin e pengjeve nga Gaza, edhe nëse kjo kërkon ndërprerjen e luftës.

Kategoritë
BotaLajme