Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, e ndërpreu me shumë emocione konferencën për media pas humbjes në finalen e Kampionatit Botëror dhe paralajmëroi se së shpejti do të flasë për të ardhmen e tij në stolin e kombëtares.
Strategu i “Gauçosëve”, i cili në vitin 2018 erdhi si një zgjidhje e përkohshme dhe e kontestuar, gjatë mandatit të tij të jashtëzakonshëm i solli vendit vazhdimësi dhe suksese historike.
Nën drejtimin e tij, Argjentina i dha fund pritjes 28-vjeçare duke fituar Copa América në vitin 2021. Më pas erdhi titulli i kampionit të botës në Katar, si dhe një tjetër trofe kontinental në vitin 2024.
I tronditur dukshëm pas humbjes 1:0 ndaj Spanjës në New Jersey, Scaloni foli për epokën e artë që shkroi së bashku me këtë gjeneratë.
“Ky është një vend i mrekullueshëm. Është një vend ëndrrash. As unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk mund ta imagjinonim se do t’i fitonim të gjithë ata trofe”, tha Scaloni.
Megjithatë, presioni i opinionit publik dhe kërkesa e vazhdueshme për përsëritjen e rezultateve kulmore kanë lënë pasoja, ndaj trajneri i trofeshëm pranoi se i nevojitet pushim para se të marrë vendimin përfundimtar.
“Për të vazhduar duhet të investohet jashtëzakonisht shumë. Është e vështirë të përsëritet e gjithë kjo. U përpoqëm të jepnim maksimumin deri në minutën e fundit të finales. Mendoj se është e drejtë që tani të marr pak kohë dhe të mendoj mirë për gjithçka”, shtoi Scaloni.
Pas këtyre fjalëve, strategu argjentinas, mes lotësh, tha se i dhemb shpirti, u kërkoi falje të pranishmëve dhe u largua nga salla, ndërsa gazetarët argjentinas e përcollën me duartrokitje të fuqishme.
Megjithëse statistikat tregojnë se skuadra e tij nuk pati asnjë goditje në kuadratin e portës deri në vazhdime, ai konsideron se përballja finale ishte plotësisht e hapur deri në fund.
“U jemi jashtëzakonisht mirënjohës tifozëve tanë. Arritëm deri në fund, deri te një ndeshje që ishte plotësisht e hapur. Ishim shumë pranë. Dua t’i falënderoj lojtarët e mi dhe të gjithë ata që na ndihmuan”, deklaroi Scaloni.













