Izraeli ka kërcënuar me shkatërrimin e një ndërtese në qytetin e Gazës ku ruhen mijëra gjetje arkeologjike, ka raportuar mediumi izraelit Haaretz. Sipas instituteve franceze për Biblën dhe arkeologjinë (École Biblique), ushtria të mërkurën ka kërcënuar me shkatërrimin e një ndërtese dhjetëkatëshe, kati i parë i së cilës është përdorur për një dekadë si depo për gjetje të çmuara.
Pas marrjes së paralajmërimit, instituti iu drejtua zyrtarëve të qeverisë franceze për të ndërhyrë.
Disa burime të njohura me detajet thanë se Franca, UNESCO dhe patriarku latin i Jerusalemit ndihmuan në shtyrjen e sulmit për të siguruar zhvendosjen e depozitës.
“Kjo ishte një operacion me rrezik të lartë, i kryer në një kontekst jashtëzakonisht të rrezikshëm për të gjithë të përfshirët – një shpëtim i vërtetë në minutën e fundit,” tha Olivier Poquillon, drejtor i Shkollës Franceze Biblike dhe Arkeologjike në Jerusalem (EBAF), e cila kishte në ruajtje reliket.
“Pa pothuajse asnjë aktor ndërkombëtar në terren, pa infrastrukturë, pa asgjë që funksionon, na u desh të improvizonim transportin, fuqinë punëtore dhe logjistikën,” tha Poquillon.
Evakuimi, shtoi ai, u krye në fshehtësi të plotë, me “kujdesin më të madh, si organizatë fetare, që të mos rrezikohen jetë njerëzish”, ndërsa ushtria izraelite zhvillonte operacione në qendrën më të madhe urbane të territorit. Depoja përmbante rreth 180 metra kub gjetje nga pesë lokalitete arkeologjike kryesore në Gaza, përfshirë manastirin e Shën Hilarionit nga shekulli i katërt, i cili është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Të gjitha këto lokalitete janë dëmtuar, tha EBAF, duke shprehur shqetësim për mozaikët “unikë” që mbetën të ekspozuar pavarësisht brishtësisë së tyre.
Poquillon tha se Gaza ka një “trashëgimi jashtëzakonisht të lashtë, shumë të çmuar për rajonin, që tregon pasimin dhe bashkëjetesën e popujve, kulturave dhe feve”.
Një nga dy muzetë në Gaza është shkatërruar, ndërsa tjetri është dëmtuar rëndë që nga fillimi i luftës pothuajse dy vite më parë.
Studiuesit i thanë AFP-së se, përveç rrënojave të shpërndara dhe shumë të ndjeshme ndaj bombardimeve, depoja e EBAF-it ishte i vetmi vend i rëndësishëm i ruajtjes së artefakteve që kishte mbetur në territorin palestinez.
Rizbulimi i së kaluarës së Gazës filloi pas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1993.
Dy vite më vonë, shërbimi i sapokrijuar i antikave të Gazës hapi gërmimin e tij të parë arkeologjik në bashkëpunim me EBAF-in, duke zbuluar mbetjet e portit të lashtë grek Antedon dhe nekropolin romak.