Përkthyesja e kryeministres italiane i kërkon falje pas një gabimi në Shtëpinë e Bardhë: “Gjëja më e keqe që më ka ndodhur”

Përkthyesja e Giorgia Melonit ka kërkuar falje pasi u hutua dhe bëri një gabim gjatë një takimi me shumë rëndësi me Donald Trumpin më herët këtë javë, gjë që bëri që kryeministrja italiane të ndërhynte dhe të përkthente vetë komentet e saj mbi NATO-n dhe shpenzimet për mbrojtjen.

Valentina Maiolini-Rothbacher, të cilën Meloni e ndërpreu gjatë përkthimit në takimin në Shtëpinë e Bardhë të enjten, tha në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera se kjo ishte “gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një përkthyesi”.

Në pamjet e takimit shihet se si presidenti Trump i kërkon Maiolini-Rothbacher-it përkthimin e përgjigjes së Melonit ndaj një pyetjeje të një gazetari italian mbi qëndrimin e tij për Ukrainën dhe shpenzimet ushtarake. Duket se Maiolini-Rothbacher has vështirësi në përkthim, ndalon disa herë dhe shfleton shënimet e saj, përpara se Meloni ta ndërpresë dhe të flasë vetë në anglisht me Trumpin.

Përkthyesja tha në intervistën për Corriere della Sera se një incident i tillë nuk i kishte ndodhur kurrë më parë.

“Para së gjithash kërkoj ndjesë që nuk isha në nivelin e duhur,” tha ajo.

“Kryeministrja Meloni kishte të drejtë që më ndërpreu, ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe çdo fjalë kishte peshë të madhe,” shtoi Maiolini-Rothbacher.

Në intervistë, Maiolini-Rothbacher tha se, ndonëse nuk kishte qenë më parë në Shtëpinë e Bardhë, ajo është përkthyese me përvojë dhe ka punuar në takime të nivelit të lartë, përfshirë edhe samitin e G20. Sipas profilit të saj në LinkedIn, ajo ka punuar si përkthyese që nga viti 1991, raportoi Politico.

Ajo nuk ka folur me Melonin që nga takimi, dhe pas takimit ka shkuar direkt në aeroport.

Trump, në përgjigje ndaj komenteve të Melonit, pasi ajo i shprehu, tha se nuk e konsideron përgjegjës presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për luftën në Ukrainë, por shtoi se “nuk është i entuziazmuar nga fakti që ajo luftë ka filluar”.

Kategoritë
BotaLajme