Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar dëshmia e Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujesë, në kuadër të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Williams dëshmoi për një ditë e gjysmë dhe bëri të ditur se kishte shërbyer si këshilltar juridik vullnetar, pa pagesë, për delegacionin e Kosovës gjatë bisedimeve për marrëveshjen e Rambujesë në vitin 1999, raporton lajmi.net
Në fund të dëshmisë së tij, ai u pyet edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, e cila kishte paraqitur disa pyetje shtesë.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, njoftoi se për sot nuk do të paraqitet ndonjë dëshmitar tjetër nga ana e mbrojtjes. Ndërkohë, për javën e ardhshme është parashikuar të dëshmojë vetëm një dëshmitar, dëshmia e të cilit pritet të zgjasë deri të mërkurën në mëngjes.
Seanca e sotme u mbyll dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën me dëshmitarin e tretë të mbrojtjes.