Përfundoi seanca ndaj Sinisha Spasiqit, i dyshuar për krime lufte, pritet vendimi i gjykatës

Përfundoi seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj të dyshuarit Sinisha Spasiq, i arrestuar të dielën në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Seanca u zhvillua për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të bëhet i ditur brenda afateve ligjore.

Sipas njoftimeve nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ai dyshohet për përfshirje në krime të kryera më 6 prill 1999 në komunën e Vushtrrisë, në rajonin e Mitrovicës.Autoritetet kanë bërë të ditur se Spasiq ka shërbyer si rezervist aktiv në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).

Hetimet po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Sipas Prokurorisë, ai ishte i përfshirë në një kallëzim penal të dorëzuar më 22 qershor 2022, që lidhet me masakrat ndaj shqiptarëve në zonën e Vushtrrisë.

Kategoritë
LajmeVendi