Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, pritet që gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë, të lobojë kundër mbështetjes që Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) po i japin forcave paramilitare Rapid Support Forces (RSF) në Sudan.
Këtë informacion e kanë konfirmuar për portalin Middle East Eye (MEE) disa zyrtarë arabë dhe perëndimorë.
Ky veprim, i cili vjen pas një bisede telefonike javën e kaluar mes bin Salmanit dhe komandantit të Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF), gjeneral Abdel Fattah al-Burhan, shënon një rast të rrallë të angazhimit direkt të udhëheqësit saudit me Trump-in lidhur me çështjen e Sudanit.
Deri tani, lufta në Sudan – që vazhdon nga prilli i vitit 2023 – ka qenë në hije krahasuar me gjenocidin izraelit në Gaza, tensionet me Iranin dhe rikthimin e Sirisë në orbitën amerikane në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, marrja nën kontroll e qytetit el-Fasher, kryeqytetit të Darfurit të Veriut, nga RSF-ja – e cila ka kryer përdhunime masive dhe masakra – e ka kthyer sërish vëmendjen ndërkombëtare te konflikti sudanez.
Gjatë gjithë luftës, EBA ka mbështetur RSF-në duke përdorur një rrjet linjash furnizimi që kalojnë përmes Libisë juglindore, Çadit dhe gjithnjë e më shpesh përmes portit Bosaso në gadishullin somalez të Puntlandit. Abu Dhabi vazhdon t’i mohojë këto akuza.
Burime të shumta të lidhura me luftën i thanë MEE-së se tashmë ka filluar një luftë informative në rrjetet sociale mes llogarive të lidhura me Emiratet dhe atyre të lidhura me Arabinë Saudite. Llogaritë pro-EBA po përpiqen të diskreditojnë gazetarët dhe organizatat që raportojnë për krimet e RSF-së, ndërsa llogaritë saudite po i amplifikojnë ato raporte.
Një burim sudanez i njohur me bisedën mes bin Salmanit dhe Burhanit tha se gjenerali i ka thënë princit se lufta në Sudan nuk mund të përfundojë pa presion amerikan ndaj EBA-së. Sipas po të njëjtit burim, bin Salman i premtoi Burhanit se këtë çështje do ta ngrinte drejtpërdrejt tek Trump-i.
Një diplomat arab nga rajoni konfirmoi për MEE se Abu Dhabi pret pikërisht një presion të tillë si rezultat i vizitës së Salmanit në Uashington.
“Princi saudit e sheh këtë si një mundësi për të krijuar përçarje mes Trump-it dhe Mohammed bin Zayed-it”, tha një zyrtar perëndimor i njohur me planet e bisedimeve, duke iu referuar presidentit të EBA-së, Mohammed bin Zayed Al Nahyan (MBZ).
Ambasadat e Arabisë Saudite dhe Emirateve nuk iu përgjigjën kërkesës së MEE-së për koment.
Arabia Saudite dhe EBA: Përçarje për shkak të Sudanit?
Udhëheqësi i Emirateve, Mohammed bin Zayed (64 vjeç), dhe princi i kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman (40 vjeç), dikur ishin shumë të afërt. Të dyja shtetet janë partnerë kyç të SHBA-së në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë. Familjet sunduese Al Saud dhe Al Nahyan gjithashtu kanë krijuar lidhje direkte me Trump-in, veçanërisht përmes dhëndrit të tij Jared Kushner, i cili ka lidhje biznesi edhe me Katarin.
Pothuajse një dekadë më parë, Arabia Saudite dhe EBA organizuan së bashku bllokadën ndaj Katarit dhe ndërhynë në luftën civile të Jemenit. Në ato konflikte morën pjesë edhe luftëtarë sudanezë, kryesisht të RSF-së, si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Riadi dhe Abu Dhabi. Disa prej tyre ndodhen ende në Arabinë Saudite pranë kufirit me Jemenin.
Diplomatët nga rajoni thonë se sot Riadi dhe Abu Dhabi janë rivalë në Jemen: Emiratet mbështesin qeverinë separatiste në jug, ndërsa Arabia Saudite qeverinë ndërkombëtarisht të njohur.
Pasi dështuan të mposhtin lëvizjen Houthi, e cila ka fituar popullaritet në botën arabe pas sulmeve të saj në Detin e Kuq, sauditët tani po kërkojnë kompromis.
Megjithatë, monarkitë e Gjirit zakonisht shmangin konfliktet mes tyre në sy të SHBA-së. Përjashtim ishte viti 2017, kur të dyja i kërkuan administratës Trump mbështetje për bllokadën ndaj Katarit.
Por Shtëpia e Bardhë nën Trump funksionon ndryshe nga administratat e mëparshme: Presidenti nuk u beson diplomatëve të karrierës, ndaj kontaktet direkte me të janë vendimtare. Arabia Saudite dhe Turqia udhëzuan personalisht Trump-in për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, ndërsa liderët arabë e myslimanë kërkuan prej tij që të shtyjë përpara marrëveshjen për armëpushim në Gaza.
Vendimi i bin Salmanit për të folur drejtpërdrejt me Trump-in për Sudanin tregon jo vetëm se si funksionon administrata amerikane, por edhe izolimin në rritje të Emirateve për shkak të rolit të tyre në luftë.
Emiratet po humbin aleatë për shkak të Sudanit
Egjipti, ndonëse aleat i ngushtë i EBA-së, tani po rrit mbështetjen ushtarake për ushtrinë sudaneze, së bashku me Turqinë, raporton MEE.
“Sapo Egjipti dhe Arabia Saudite pajtohen për një çështje, ajo konsiderohet konsensus arab”, thotë Hussein Ibish nga Instituti Arab për Shtetet e Gjirit në Uashington.
“Në çështjen e Sudanit, si edhe në disa të tjera, Emiratet po veprojnë kundër këtij konsensusi.”
Sipas Ibishit, Riadi dhe Abu Dhabi po shprehin lehtësisht dallimet e tyre, sepse të dy vendet ndihen më pak të kërcënuara nga Irani. “Nëse nuk ndihen të rrezikuar nga Irani, nuk kanë nevojë të jenë të bashkuar për çdo temë. Kjo u lejon hapësirë të konkurrojnë me njëri-tjetrin.”
Sudani ndodhet menjëherë matanë Detit të Kuq nga Arabia Saudite, por Emiratet kanë qenë shumë më aktive në terren.
Në janar 2024, MEE raportoi se EBA furnizonin RSF-në me armë përmes një rrjeti kompleks aleatësh që përfshin Libinë, Çadin dhe Ugandën. Më vonë u zbuluan dy baza ushtarake emirate brenda Sudanit dhe përdorimi i portit të Bosasos në Somali për furnizim.
Lufta në Sudan filloi në prill 2023, kur tensionet e gjata mes ushtrisë SAF, të drejtuar nga Burhani, dhe RSF-së, të udhëhequr nga ish-komandanti i xhandarëve Mohamed Hamdan Dagalo (Hemedti) – një aleat i ngushtë i Emirateve – shpërthyen në konflikt të hapur.
Arabia Saudite u pozicionua si ndërmjetëse, duke parë një mundësi për të përmirësuar imazhin e saj diplomatik pas luftës së përgjakshme në Jemen.
Sipas një ish-zyrtari amerikan, Riadi fillimisht ishte aq i zemëruar me rolin e Emirateve në Sudan, sa nuk donte që Abu Dhabi të ishte pjesë e Katërshes (SHBA, Egjipt, Arabi Saudite). Sauditët pranuan vetëm pas presionit nga Uashingtoni.
Gjatë bisedës me bin Salmanin, Burhani ka thënë se RSF është shndërruar në “makinë vrasjeje” dhe se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Emirateve. Generali – ushtria e të cilit gjithashtu akuzohet për krime lufte – ka theksuar se lufta nuk është “mes dy gjeneralëve”, ndërsa ka detajuar krimet e RSF-së në gjithë vendin.
Arabia Saudite zyrtarisht paraqitet si ndërmjetës neutral, por burime sudaneze dhe perëndimore theksojnë se Riadi në thelb preferon stabilitetin që ofron ushtria e rregullt sudaneze (SAF).
Megjithatë, pak diplomatë amerikanë e arabë presin që Sudani të jetë tema kryesore e vizitës së bin Salmanit. Në qendër priten të jenë marrëveshjet ushtarake, inteligjenca artificiale dhe energjia bërthamore.
Lufta në Sudan ka marrë dhjetëra mijëra jetë, ndërsa mbi 13 milionë njerëz janë zhvendosur. RSF-ja akuzohet për masakra, përfshirë gjenocid në Darfur, ndërsa edhe forcat qeveritare të SAF-it akuzohen për krime lufte.


















