Për shkak të zvogëlimit të ndihmës së huaj, HIV-i mund të marrë jetën e tre milionë njerëzve në vitet e ardhshme

Më shumë se 10 milionë njerëz mund të infektohen me HIV dhe pothuajse tre milionë mund të humbasin jetën deri në fund të dekadës si pasojë e uljes së ndihmës nga qeveritë perëndimore, tregon një studim i ri.

Studimi i publikuar në revistën The Lancet HIV vlerëson ndikimin e mundshëm në shëndetin publik të shkurtimeve të planifikuara ose të propozuara nga pesë vendet kryesore donatore – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Holanda – të cilat aktualisht përbëjnë 90% të gjithë financimit ndërkombëtar për luftën kundër HIV-it.

Ndikimi më i madh do të ndjehej në Afrikën Sub-Sahariane dhe te popullatat më të cenueshme e të margjinalizuara, të cilat tashmë janë në rrezik më të lartë të infektimit me HIV, si përdoruesit e drogës, punëtorët e seksit dhe meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, raporton Politico.

SHBA tashmë ka ulur financimet për Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), përfshirë edhe programet për trajtimin dhe parandalimin e HIV-it. Edhe programi PEPFAR (Plani i Presidentit për Ndihmë të Urgjencës ndaj SIDA-s) është në rrezik.

Në shkurt, Mbretëria e Bashkuar njoftoi ulje të shpenzimeve për zhvillim ndërkombëtar, ndërsa Holanda po ashtu konfirmoi një shkurtim prej 2.4 miliardë eurosh në ndihmën e huaj. Gjermania dhe Franca, vitin e kaluar, ulën buxhetet për ndihmën ndërkombëtare me një total prej edhe tre miliardë eurosh.

“Shkurtimet aktuale në programet që mbështeten nga PEPFAR dhe USAID tashmë kanë ndërprerë qasjen në shërbimet themelore për HIV-in, përfshirë terapinë antiretrovirale, parandalimin dhe testimin për HIV”, tha Debra ten Brink nga Instituti Burnet në Australi, udhëheqëse e studimit.

Nëse edhe vende të tjera donatore ndjekin të njëjtin hap dhe ulin financimet, dekada të tëra përparimi në trajtimin dhe parandalimin e HIV-it mund të vihen në rrezik.

Udhëheqësit globalë të shëndetësisë i kanë bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që të rrisin përkushtimin dhe të mbështesin më tej programet globale të shëndetësisë.

Kategoritë
BotaLajme