Kupa e Botës 2026 ende nuk ka përfunduar, ndërsa tashmë dihen gjashtë pjesëmarrëset e para të Botërorit të ardhshëm. Në turneun e vitit 2030 do të luajnë me siguri Spanja, Portugalia, Maroku, Argjentina, Uruguai dhe Paraguai.
Të gjashta përfaqësueset janë kualifikuar automatikisht falë organizimit të një Kupe Bote të paprecedentë, e cila do të zhvillohet në gjashtë shtete dhe në tri kontinente.
Organizatorët kryesorë do të jenë Spanja, Portugalia dhe Maroku, ku do të zhvillohet pjesa dërrmuese e ndeshjeve. Megjithatë, nga një ndeshje në fillim të turneut do të luhet në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, vende të cilat FIFA i ka shpallur nikoqire të kremtimit të 100-vjetorit të Kupës së Botës. Për këtë arsye, FIFA u ka garantuar edhe përfaqësueseve të tyre pjesëmarrjen në turne.
Pse Kupa e Botës do të ketë gjashtë vende organizatore?
Kupa e Botës 2030 do të jetë edicioni jubilar i turneut. Kampionati i parë u zhvillua në vitin 1930 në Uruguai, i cili në finalen e luajtur në Montevideo e mposhti Argjentinën me rezultat 4:2 dhe u bë kampioni i parë i botës.
Për organizimin e turneut jubilar ekzistonin dy kandidatura të mëdha të përbashkëta.
Spanja dhe Portugalia fillimisht planifikuan një organizim të përbashkët, ndërsa më vonë atyre iu bashkua edhe Maroku. Kandidatura tjetër përbëhej nga Uruguai, Argjentina, Paraguai dhe Kili, të cilat dëshironin ta rikthenin turneun në Amerikën e Jugut saktësisht 100 vjet pas edicionit të parë.
FIFA në tetor të vitit 2023 gjeti një zgjidhje të pazakontë. Spanja, Portugalia dhe Maroku morën organizimin kryesor, ndërsa Amerikës së Jugut iu dha kremtimi i 100-vjetorit me nga një ndeshje në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai.
Kili ishte i vetmi vend nga kandidatura amerikanojugore që mbeti pa asnjë ndeshje, për çka autoritetet dhe drejtuesit e futbollit në atë vend shprehën publikisht pakënaqësinë e tyre. Vendimi u konfirmua përfundimisht në Kongresin e Jashtëzakonshëm të FIFA-s në dhjetor të vitit 2024.
Kështu u krijua Kupa e parë e Botës që do të zhvillohet në tri kontinente: Evropë, Afrikë dhe Amerikën e Jugut.
FIFA zyrtarisht i dallon Spanjën, Portugalinë dhe Marokun si organizatorët kryesorë, ndërsa Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain si nikoqirë të ndeshjeve festive. Megjithatë, të gjashta shtetet do të organizojnë ndeshje dhe do të kenë kualifikim automatik.
Gjashtë organizatorët e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen
Sipas planit aktual, në Kupën e Botës 2030 pritet të marrin pjesë 48 përfaqësuese, njësoj si në turneun aktual në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Duke qenë se gjashtë vendet organizatore e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen, përmes kualifikimeve kontinentale dhe ndeshjeve shtesë do të duhet të plotësohen edhe 42 vende të tjera.
Përfaqësueset që do t’i luajnë tri ndeshjet e para në Amerikën e Jugut, më pas do të duhet të udhëtojnë drejt Spanjës, Portugalisë ose Marokut për të vazhduar garën.
Në planin fillestar, FIFA kishte parashikuar një interval prej rreth 11 ose 12 ditësh ndërmjet ndeshjes së parë dhe të dytë, në mënyrë që skuadrat të kishin kohë të mjaftueshme për udhëtim, përshtatje dhe pushim.
Vendimi për gjashtë organizatorë zgjidhi njëkohësisht edhe çështjen e organizimit të Kupës së Botës 2034. Meqenëse në vitin 2030 do të përfaqësohen Evropa, Afrika dhe Amerika e Jugut, FIFA për ciklin pasues ftoi kandidatura nga Azia dhe Oqeania. Organizimi i turneut të vitit 2034 përfundimisht iu dha Arabisë Saudite.
A do të marrin pjesë megjithatë 64 përfaqësuese?
Numri i pjesëmarrëseve në Kupën e Botës 2030 mund të ndryshojë ende. Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL, në prill të vitit 2025 propozoi zyrtarisht që kampionati jubilar të zgjerohet vetëm për këtë edicion nga 48 në 64 përfaqësuese.
Presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez, shpjegoi se 100-vjetori kremtohet vetëm një herë dhe se zgjerimi do t’u mundësonte më shumë shteteve të merrnin pjesë në këtë festë.
Gianni Infantino atëherë nuk e hodhi poshtë propozimin, por deklaroi se “çdo ide është një ide e mirë” që duhet të shqyrtohet.
Presidenti i FIFA-s tani ka shkuar një hap më tej. Në një intervistë të publikuar gjatë fazës përfundimtare të Kupës së Botës 2026, ai tha se rritja e numrit të pjesëmarrëseve nga 48 në 64 mund të kishte kuptim dhe njoftoi se propozimi do të shqyrtohet nga komisionet përkatëse të FIFA-s pas përfundimit të turneut.
“Kjo është sigurisht një çështje që do të shqyrtohet dhe diskutohet në komisionet përkatëse pas kësaj Kupe Bote”, tha Infantino.
Ai e cilësoi formatin aktual me 48 përfaqësuese si një “sukses të madh”. Infantino theksoi se çdo shteti duhet t’i mundësohet të ëndërrojë për pjesëmarrje në Kupën e Botës dhe se vendet më të vogla të futbollit, pa mundësi reale për kualifikim, nuk kanë të njëjtin motivim për investime dhe përparim.
Zgjerimi do ta ndryshonte të gjithë turneun
Zgjerimi në 64 përfaqësuese do të nënkuptonte se në Kupën e Botës do të merrte pjesë pothuajse një e treta e 211 anëtareve të FIFA-s.
Në rast se do të formoheshin 16 grupe me nga katër përfaqësuese dhe dy më të mirat nga secili grup do të kualifikoheshin më tej, turneu do të kishte 128 ndeshje. Kampionati aktual me 48 përfaqësuese ka 104 ndeshje.
Një vendim i tillë do t’u jepte rol më të madh edhe organizatorëve amerikanojugorë. Sipas planit aktual, Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të organizojnë nga një ndeshje, por Reuters raporton se në formatin e zgjeruar secili prej tyre mund të organizonte një grup të plotë me katër përfaqësuese.
Propozimi ende nuk është miratuar. Kupa e Botës 2030 zyrtarisht vazhdon të planifikohet si turne me 48 përfaqësuese, por deklaratat e fundit të Infantinos konfirmojnë se FIFA po shqyrton seriozisht një zgjerim të ri, vetëm katër vjet pasi numri i pjesëmarrëseve u rrit nga 32 në 48.

















