PDK: Qeveria Kurti po u garanton miliona KEDS-it, KESCO-s, NOA-s dhe GEN-it në kurriz të qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala në një konferencë për media ka ngritur shqetësimin lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për herë të tretë për qytetarët e Kosovës brenda një mandati të Qeverisë Kurti.

Shala, në një konferencë për media, tha se kjo rritje është selektive dhe diskriminuese, sepse godet drejtpërdrejt konsumatorët shqiptarë, ndërkohë që retorika e dikurshme opozitare e kësaj qeverie premtonte ulje drastike të çmimeve dhe rikthim të kontrollit publik.

“Kemi një realitet të dëmshëm, ku në vend të kontrollit publik, kemi fitime të garantuara për kompanitë private KEDS, KESCO, NOA dhe GEN, ndërsa qytetari i zakonshëm paguan gjithnjë e më shumë.  Qeveria, në vend që të mbrojë interesin publik, është kthyer në lobues dhe mbështetës të aferave korruptive. Sot kemi brenda territorit të Republikës tregje energjetike mbi baza etnike. Sot kemi monopolizim mbi 90 % të importit të energjisë nga kompania GEN dhe NOA. Sot ne importojmë energji elektrike me çmim 100 % më shtrenjtë se në bursat ndërkombëtare.

Sot bizneset që po pritet të dalin në tregun e lirë kanë marrë ofertat me 225% më shtrenjtë se çmimi aktual i bursës. Sot shumë biznese po mbyllen apo po ikin jashtë Kosovës, shihni rastin e Feronikelit. Sot kemi rënie të prodhimit në mënyrë drastike në KEK, e tërë politika e kësaj korporate është në favorizim të kompanive private importuese të energjisë”, theksoi ai.

Shala tha se në këtë skemë të dështimit sistematik bëjnë pjesë KOSTT-i dhe ZRRE-ja, e cila sipas tij, me zell të paprecedent ka garantuar rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe është shndërruar në zëdhënëse edhe barrikadë mbrojtëse të qeverisë në shkuarje duke mbuluar në heshtje edhe aferat e mëdha korruptive, siç është rasti lidhur me raportin e monitorimit nga ZRRE ndaj Ibër-lepencit.

“Një sektor energjetik i degraduar. Stabilitet i cenuar. Transparencë dhe konkurrencë e munguar. Interesi publik i nëpërkëmbur. Dhe një klimë gjithnjë e më e rënduar për ekonominë dhe jetën e qytetarëve tanë. Të vetmit që kanë përfituar janë kompanitë tregtare dhe grupet klienteliste, për të cilat kjo qeveri ka kujdes të veçantë përmes emërimeve të kontrolluara në institucionet kyçe. Sot, më shumë se kurrë, duhet të flasim për energjinë si të drejtë dhe si nevojë publike. Pa energji të qasshme dhe të qëndrueshme, nuk mund të ketë as mirëqenie, as zhvillim”, shtoi deputeti i PDK-së.

Shala u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë thellësisht çdo segment të sektorit energjetik.

“Sapo të konstituohet Kuvendi i ri, do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat parlamentarë për të shqyrtuar çdo veprim dhe mosveprim në menaxhimin e sektorit energjetik. Si PDK, do të jemi zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit qytetar, në çdo instancë dhe në çdo forum”, ka përfunduar ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi