Presidenti amerikan Donald Trump ka marrë një portret të ri nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, pasi portretin ekzistues të vetes e hodhi në plehra duke e quajtur “me të vërtetë më të keqin”.
Portreti i ri nuk është shfaqur publikisht. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e përshkroi si një “dhuratë personale”, duke shtuar se vetëm Putini mund të zbulojë detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, Trump kritikoi në Truth Social portretin e tij të mëparshëm që varej në ndërtesën e Kapitolit të shtetit Kolorado, deri sa u hoq të hënën.
Presidenti amerikan i kushton shumë vëmendje kultivimit të imazhit të tij, dhe në janar bëri bujë me zbulimin e portretit zyrtar, të cilin kritikët e përshkruan ndryshe – si serioz apo ogurzi.
I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, konfirmoi marrjen e veprës së re nga Moska, duke thënë se ishte i ngarkuar ta sillte atë përsëri në Uashington.
Ai e përshkroi veprën si një pikturë – një “portret i mrekullueshëm” i një “artisti të shquar rus” – por nuk dha ndonjë vlerësim të mëtejshëm. Trump ishte “qartazi i prekur”, shtoi ai.
Dhënia e dhuratës u konfirmua nga Peskov, ndërsa negociatorët amerikanë dhe rusë u ulën sërish në tryezën e bisedimeve në Arabinë Saudite, si pjesë e përpjekjeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kjo dhuratë nënvizon ngrohjen diplomatike mes dy kombeve pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Në një intervistë, Witkoff, i cili u takua me Putinin dhjetë ditë më parë, tha se presidenti rus ishte “i sjellshëm”. Ai shtoi se Putini i kishte thënë që ishte lutur për Trumpin pas tentativës për atentat ndaj tij vitin e kaluar.
Kjo tentativë atentati ndaj Trumpit, e cila ndodhi gjatë një tubimi në Pensilvani, çoi në ndoshta fotografinë më të famshme të tij ndonjëherë.
Fotografi i AP, Evan Vucci, kapi momentin kur Trump, me veshin e përgjakur, ngriti grushtin sfidueshëm dhe u tha mbështetësve: “luftë, luftë, luftë”. Këtë imazh Trump e ka mitizuar edhe më shumë duke e përdorur në kopertinën e librit të tij.
Trump ende nuk e ka komentuar publikisht portretin e dërguar nga Putini, por nuk la asnjë dyshim për atë që i pëlqen apo nuk i pëlqen, kur foli për portretin nga Kolorado.
Portreti, i cili iu dhurua ndërtesës në vitin 2019, ishte “qëllimisht i shtrembëruar në një nivel që as unë s’e kam parë ndonjëherë më parë”, shkroi ai të hënën në mëngjes në Truth Social.
Ai tha se nuk i ngjante aspak portretit të Barack Obamës nga e njëjta artiste. Duke lavdëruar rrallë paraardhësin e tij, Trump tha se Obama dukej “i mrekullueshëm” në portretin e vet të piktorës Sarah Boardman.
Thuhet se Trump ka humbur deri në 13.6 kg gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar. U tha gazetarëve se ishte “aq i zënë” sa nuk kishte “mundësi të hante shumë”.
Republikani e përdori gjithashtu çështjen e portretit për të theksuar një pikë politike, duke e përshkruar guvernatorin demokrat të Kolorados, Jared Polis, si “radikal” dhe “jashtëzakonisht të dobët ndaj krimit”.
Megjithatë, portreti nuk kishte lidhje me Polisin, theksuan mediat amerikane. Ai ishte rezultat i një fushate për mbledhje fondesh të nisur nga një republikan. Thuhet se portreti ishte porositur për të mbushur një hapësirë bosh që më herët ishte zëvendësuar për pak kohë me një figurë të Vladimir Putinit nga dikush që po bënte shaka.
Pas reagimeve, një bord dypartiak urdhëroi largimin e portretit të hënën pasdite, sipas një zëdhënësi të Dhomës së Përfaqësuesve të Kolorados nga radhët e demokratëve. Ai do të ruhet në një vend të sigurt “deri në njoftim të dytë”.
Duke folur për punën e saj me Colorado Times Recorder në vitin 2019, artistja pranoi se “gjithmonë do të ketë zemërim ndaj presidentit nga njëra ose tjetra palë. Kjo është natyra njerëzore.”
Një tjetër portretist i tha BBC-së se “do t’i kishte pikturuar gjërat pak më ndryshe”, por se portretet presidenciale ishin të nuancuara dhe se kishte mirëkuptim për artistin.
Robert Anderson, i cili krijoi portretin zyrtar të presidentit George W. Bush që varet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në SHBA, tha se shikuesit zakonisht sjellin “ngarkesë” emocionale në varësi të ndjenjave që kanë për subjektin e portretit.