Analistët paralajmërojnë se projektligji mund t’i japë qeverisë ndikim më të madh mbi përmbajtjen e lajmeve
Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi të martën në lexim paraprak një projektligj që do t’i jepte qeverisë kontroll më të madh mbi sektorin e medias në vend, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Parlamenti thuhet se projektligji prezanton “reforma gjithëpërfshirëse në fushën e rregullimit të transmetimit”, kryesisht duke krijuar një autoritet të vetëm të ri rregullator për të zëvendësuar si Këshillin e Transmetimeve Kabllor dhe Satelitore ashtu edhe Autoritetin e Dytë për Televizionin dhe Radion.
Në favor të projektligjit votuan 54 anëtarë të Parlamentit ndërsa 47 e kundërshtuan atë. Sipas sistemit legjislativ të Izraelit, një projektligj duhet të kalojë tre lexime përpara se të bëhet ligj.
Transmetuesi publik izraelit KAN, duke cituar analistë, paralajmëroi se megjithëse projektligji paraqitet si një hap drejt liberalizimit të sektorit të medias, ai mund t’i japë qeverisë ndikim më të madh mbi përmbajtjen e lajmeve, duke paraqitur sfidë politike dhe ligjore afatgjate për pavarësinë e medias.
Izraeli është ndër vendet me kontrollet më të rrepta mbi shtypin, të zbatuara përmes një sistemi të njohur si “censurë ushtarake”, një sërë ligjesh dhe rregulloresh që i lejojnë ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë të bllokojnë publikimin e çdo materiali që konsiderohet i dëmshëm për sigurinë kombëtare ose zbulimin e informacionit të ndjeshëm.












