“Akte të tilla, nëse vërtetohen, mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas Statutit të Romës”, thuhet në deklaratë
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) shprehu shqetësim të hënën për raportet e fundit për “vrasje masive, përdhunime dhe krime të tjera” nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në El-Fasher të Sudanit, të cilin e mori nën kontroll më 26 tetor, duke paralajmëruar se aktet mund të përbëjnë “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Zyra e Prokurorit të GJNP-së shprehu “alarm dhe shqetësim të thellë” lidhur me raportet për “vrasje masive, përdhunime dhe krime të tjera të dyshuara të kryera gjatë” sulmeve të RSF-së.
“Akte të tilla, nëse vërtetohen, mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas Statutit të Romës”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ato janë “pjesë e një modeli më të gjerë dhune që ka prekur të gjithë rajonin e Darfurit që nga prilli i vitit 2023”, kur filloi lufta civile midis ushtrisë dhe RSF-së paraushtarake.
Duke thënë se GJNP-ja ka juridiksion mbi krimet që kryhen në konfliktin e vazhdueshëm në Darfur, ajo kujtoi se zyra po heton krimet që dyshohet se janë kryer në Darfur që nga shpërthimi i armiqësive.
“Brenda hetimit në vazhdim, Zyra po ndërmerr hapa të menjëhershëm në lidhje me krimet e dyshuara në El-Fasher për të ruajtur dhe mbledhur prova relevante për përdorimin e tyre në ndjekjet penale të ardhshme”, shtoi deklarata.
Më 26 tetor, RSF mori kontrollin e qytetit El-Fasher dhe kreu masakra kundër civilëve, sipas organizatave lokale dhe ndërkombëtare, mes paralajmërimeve se sulmi mund të thellonte ndarjen gjeografike të Sudanit.
Që nga 15 prilli 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësimet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.












