​Parada ushtarake në Beograd, ekspertët: Kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën dhe rajonin

Ekspertët e sigurisë në Kosovë e kanë konsideruar paradën ushtarake në Beograd, si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, derisa theksojnë se Serbia nuk i ka tani 20 mijë efektiva, tash 10 mijë me i bo për paradë është e pamundshme.

Më 20 shtator, në Beograd u mbajt një paradë ushtarake e ndjekur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë së cilës parakaluan mijëra trupa dhe u ekspozua armatimi më i avancuar i ushtrisë serbe, nga autoblindat deri te avionët luftarakë.

Parada u organizua nën moton “Forca e Unitetit”, në një kohë kur vendi po përballet me protesta të vazhdueshme antiqeveritare, të nxitura veçanërisht pas një aksidenti tragjik në Novi Sad nëntorin e kaluar, ku humbën jetën 16 persona.

Sipas ekspertit të sigurisë Nuredin Ibishi, parada ishte një demonstrim që e tejkalon kuadrin ushtarak dhe hyn në sferën politike e gjeostrategjike.

Ibishi për KosovaPress, ka thënë se Serbia është armatosur përtej marrëveshjes së Dejtonit.

“Është në një situatë të brishtë të sigurisë edhe rajonale por edhe globale, mendoj që kjo është kërcënim për sigurinë. Serbia është armatosur përtej marrëveshjes së Dejtonit. Nuk është e saktë që ka pasur 10 mijë ushtarë të armatosur, ngase 40 vite më herët kur ka qenë parada më e madhe në këtë pjesë të rajonit kanë qenë diku 6 mijë e 600 në ish-Federatën Jugosllave. Serbia nuk i ka tani 20 mijë efektiva, tash 10 mijë me i bo për paradë është e pamundshme. Është e paqëndrueshme, e pandershme që Franca ia huazoj për mbikalim rafalët, ngase ato nuk janë pajisje serbe, ajo kishte diku 2 mijë e 500 të armatosur, 70 fluturake të tipave të ndryshme”, ka thënë Ibishi.

Ai vuri në pah gjithashtu mospërputhjen mes asaj që u paraqit dhe realitetit të kapaciteteve ushtarake serbe.

“Në gjithë këtë ka një mospërputhje në aspektin e efektivave, ngase ai nuk i ka të gjitha ato që i bëri në demonstrim. Në një formë po bën një destruksion në sistemin e sigurisë në rajon dhe në aspektin gjeostrategjik po shpërfaq interesat ruse në këtë pjesë ë Ballkanit…4:07 Është kërcënim për vendet e rajonit, në rend të parë Kosovën që ka pretendime territoriale. Kjo mënyrë edhe e demonstrimit të forcës në këtë formë parade në përkrahje nga aleatët si Franca tregon një disharmoni dhe një destruksion në sistemin e sigurisë në këtë pjesë të Evropës”, ka theksuar ai.

Në të njëjtën linjë kritike ishte edhe Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë nga “Octopus”. Ai e sheh paradën si pjesë të një projekti më të gjerë nacionalist të udhëhequr nga Vuçiq dhe strukturat që ai përfaqëson.

Sipas tij, është i njëjti model dhe i njëjti koordinim me botën ruse.

“Është një ditë e cila ekspozon ushtrinë dhe forcën e Serbisë, për të krijuar një nacional shovenizëm tek serbët, për ndërmarrjet politike dhe gjeopolitike që dëshiron t’i realizojë Vuçiqi dhe garda e tij kriminale në Serbi. Ata vazhdimisht po kërcënojnë vendet fqinje, por edhe perëndimin që ata do t’i radikalizojnë hapat e tyre, në rast se nuk i lejojnë influencimin e Ballkanit Perëndimor dhe realizimin e interesave, siç i paraqet bota serbe. Është i njëjti model dhe i njëjti koordinim me botën ruse. Në të njëjtën kohë këto ndërmarrje, realizohen kur edhe vetë Rusia është duke ndërmarrë kërcënime të vazhdueshme kënddrejtë perëndimit në vrahun verior”, ka thënë Kuçi.

Vetë ideja për organizimin e një parade të tillë është propozuar që në gusht të vitit 2020 nga presidenti Aleksandër Vuçiq dhe ish-kryeministrja Ana Bërnabiq. Vetëm pak kohë para kësaj, ministri i atëhershëm i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, kishte prezantuar planin e të ashtuquajturës “botë serbe”, që synonte shtrirjen e ndikimit serb në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë ndaj Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Zgjedhja e 20 shtatorit për mbajtjen e paradës nuk është pa simbolikë për Serbinë. Kjo datë u paraqit si një lloj “kurorëzimi” i ditës së unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar, që zyrtarisht festohet më 15 shtator. Por për Kroacinë, 20 shtatori është një datë tragjike: më 1991, në këtë ditë nisi rezistenca e armatosur në Vukovar kundër ushtrisë serbe dhe forcave paramilitare që e shkatërruan qytetin dhe vranë mijëra civilë./kp

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi