Papa Leo ka kancer në mushkëri: Biopsia konfirmoi adenokarcinomën

Papa Leo ka kancer në mushkëri: Biopsia konfirmoi adenokarcinomën

Kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Leo, iu nënshtrua me sukses një operacioni në spitalin Gemelli në Romë, por analizat zyrtare konfirmuan se ai vuan nga adenokarcinoma e mushkërive, njoftoi Vatikani të martën në mbrëmje.

Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale torakale, e cila zgjati rreth 90 minuta, ekipi mjekësor hoqi lobin e poshtëm të mushkërisë së djathtë të Papës 71-vjeçar.

Në buletinin zyrtar mjekësor të Selisë së Shenjtë thuhet se diagnoza për kancer ishte dyshuar që para ndërhyrjes, ndërsa u konfirmua përmes analizës së indeve gjatë operacionit.

“Operacioni përfundoi me sukses dhe pa asnjë komplikim. Ati i Shenjtë u zgjua normalisht nga anestezioni dhe, pas një periudhe të shkurtër vëzhgimi, u transferua në dhomën e tij në katin e dhjetë të spitalit”, thuhet në njoftimin e Vatikanit.

Megjithatë, të gjitha informacionet e publikuara tregojnë se kanceri është zbuluar në një fazë të hershme dhe se Papa nuk ndodhet në rrezik të menjëhershëm për jetën. Onkologët kishin deklaruar që para operacionit se prognoza ishte “e shkëlqyer”, edhe nëse tumori rezultonte malinj, pasi ai po hiqej në një fazë të hershme.

Papa Leo i kishte njoftuar personalisht besimtarët gjatë fundjavës së kaluar se do t’i nënshtrohej një operacioni për shkak të një nyje të izoluar në mushkëri, e cila ishte zbuluar gjatë një kontrolli rutinë.

Pritej që rikuperimi i tij në spital të zgjaste të paktën shtatë ditë, ndërsa të gjitha audiencat dhe obligimet zyrtare të Papës janë anuluar deri më 20 tetor.

Kategoritë
BotaLajme