E marta e fundit në Kosovë, ishte e rëndë për disa familje e biznese në Kosovë.
Stuhia që kaploi vendin ju shkatërroi disave veturat, e disave serrat e bizneset e tyre me të cilat mbajnë familjet. Dëmet e shkaktuara nga kjo stuhi janë të shumta dhe sipas kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremajt vetëm në këtë komunë kapin shifrën e mbi 1 milionë eurove.
Por, më shumë se dëmet, qytetarët e Kosovës i shqetësoi frika se do të ketë stuhi të radhës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, të martën në mbrëmje njoftoi se edhe e mërkura do të ishte me reshje shiu e stuhi.
Ata lëshuan nivel portokalli duke paralajmëruar stuhi me bubullima për 24 orët e 22 korrikut në të gjithë vendin.
“Gjatë datës 22 korrik 2026 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me:
🌧️ reshje intensive shiu;
🧊 breshër;
💨 erëra të forta me karakter stuhish.
⚠️ Ndikimet e mundshme:
-
- Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët.
- Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
- Pengesa në sistemet e telekomunikacionit.
- Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive.
- Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta.
- Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike”, ka njoftuar IHMK.Por kjo nuk ndodhi. Moti të mërkurën ishte i qetë, vende vende me riga shiu por jo breshër e as stuhi ere. Ky paralajmërim i gabuar i IHMK-së, shkaktoi frikë e panikë te qytetarët që të mërkurën iu shmangën lëvizjeve të panevojshme në rrugë për shkak të frikës për stuhi.
Meteo Kosova dje gjatë ditës, e ka demantuar këtë njoftim të IHMK-së. Ata përmes një postimi në Facebook kanë thënë se e mërkura do të jetë ditë e qetë, me vranësira të shpeshta, intervale me diell dhe me ndonjë reshje të izoluar, kryesisht në zona malore.
Pas paralajmërimit të gabuar nga IHMK, ata nuk dolën me një reagim publik por sot, meteorologu Mendim Rugova ka thënë se për shkak të situatës meterologjike të datës 21 korrik, është pritur edhe vazhdimësi e saj përgjatë datës 22, megjithatë sqaron se Kosova s’është përfshirë në momentet e fundit.
“Ka qenë pak e parashikueshme që mund të zgjaste edhe pas mesnate ndonjë stuhi. Ka pasur në Adriatik, por momentin e fundit s’ka hyrë në vendin tonë, siç parashihej. Prandaj dita e sotme s’pati potencial për stuhi”, ka thënë Rugova në Klan Kosova.
“Mund të ndodh në parashikime, që brenda 24 orëve mund të ketë ndryshim drastik”, ka thënë ai në emisionin e mbrëmjes në Klan Kosova më 22 korrik.
Për ditët në vazhdim nuk është paralajmëruar nëse do të ketë stuhi të radhës. /Lajmi.net/



















