OVL-UÇK reagon pasi u zbulua artikulli i Bashës ku akuzonte UÇK-në: E pafalshme Kuvendi të udhëhiqet nga ky njeri

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pasi u publikua një pamflet ku Dimal Basha, tash kryeparlamentar akuzonte UÇK-në.

OVL UÇK ka deklaruar se është e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të udhëhiqet nga një njeri i tillë.

Në deklarim OVL shprehu indinjatën për votën që iu dha Bashës në Kuvend.

Deklarimi i plotë:

OVL e UÇK-së shpreh indinjatën e thellë për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.

Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë.

Është e papranueshme dhe e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të drejtohet nga një njeri që ka fyer dhe sulmuar UÇK-në dhe Dëshmorët tanë.

Këtu lind pyetja për deputetët që e votuan këtë kandidat, përtej Lëvizjes Vetëvendosje:

Si munde ta votosh dhe t’i jepni besimin një personi që vazhdimisht ka qenë kundër UÇK-së? 

Ju përfaqësoni popullin që u çlirua pikërisht falë gjakut të UÇK-së?

Ky akt është një njollë e rëndë mbi dinjitetin e Kuvendit të Kosovës dhe një goditje e drejtpërdrejtë për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.

OVL UÇK do të mbetet gjithmonë në mbrojtje të UÇK-së dhe të vlerave të saj. Ne nuk do të lejojmë që historia jonë të tjetërsohet e as të përlyhet nga individë të tillë.

Kategoritë
LajmeVendi