Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se peticioni i nisur nga serbët e Kosovës për shkarkimin e kryetarëve në veri të vendit është e drejtë dhe se ky fakt duhet respektuar.
Gjatë homazhe para bustit të Kadri Zekës në Prishtinë, e para e shtetit deklaroi se ky peticion u lejon edhe serbëve dhe se i njëjti është në përputhje me ligjet në fuqi.
“Sot ka nis peticioni për shkarkimin e kryetarit në komunat veriore dhe siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë procedure të tillë e cila është në Udhëzimin Administrativ, është e drejtë që u takon qytetarëve në komunat veriore. Si shtet që jemi pa dallueshmëri etnike ua lejojmë natyrisht edhe atyre”, u shpreh Osmani.
Osmani aty foli edhe për veturën e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Veturën e këtij të fundit, Osmani ka kërkuar që të ruhet për shkak të rëndësisë që ka.
Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmon rezultatin e peticionit, kjo do t’i hapte rrugë shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat në veri që u zgjodhën në prill të vitit 2023, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.
Sipas KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.
Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.
Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.
Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.
E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.