Ambasadorët e Bashkimit Evropian do të përpiqen sërish të mërkurën të finalizojnë paketën e parë të sanksioneve ndaj Rusisë pas largimit të Viktor Orbánit nga pushteti, por qeveritë tashmë kanë zbutur disa nga masat kryesore për të mbrojtur interesat e tyre në energji, sektorin bankar, transportin detar dhe përpunimin e peshkut.
Për vite me radhë, Hungaria e Orbánit shërbeu si një lloj mburoje për kryeqytete të tjera që kundërshtonin masa më të ashpra. Por tani që Budapesti, nën udhëheqjen e Péter Magyarit, nuk po vendos më pengesa, këto qeveri janë detyruar t’i mbrojnë publikisht qëndrimet e tyre, shkruan Politico.
Eurodeputeti finlandez dhe kryetari i delegacionit për marrëdhëniet me Rusinë, Ville Niinistö, tha se është i befasuar dhe i zhgënjyer që kaq shumë shtete anëtare e kanë ngadalësuar procesin.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që pikërisht tani të vazhdohet me forcimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, në një kohë kur Rusia po fillon të ndiejë presionin e luftës mbi ekonominë e brendshme dhe opinionin publik”, deklaroi ai.
Megjithëse marrëveshja ende pritet të arrihet, ka gjasa që ajo të kërkojë lëshime të tjera. Shtatë persona të përfshirë në përgatitjen e paketës i thanë Politico se disa masa tashmë janë dobësuar ose janë hequr plotësisht.
Paketa, të cilën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e prezantoi në qershor, është e 21-ta që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Interesat kombëtare po pengojnë marrëveshjen
Greqia deri tani e ka kundërshtuar paketën e 21-të për shkak të propozimit për t’ua ndaluar kompanive të BE-së transportimin e gazit natyror të lëngshëm rus (LNG) drejt vendeve të treta.
Athina, e cila menaxhon flotën më të madhe tregtare në botë, është e shqetësuar për ndikimin që kjo masë mund të ketë mbi një kompani greke e cila eksporton gaz rus me cisterna akullthyese.
Ambasadori grek paralajmëroi se një masë e tillë mund t’i shtyjë anijet të ndryshojnë flamurin dhe të kalojnë në juridiksione ku zbatimi i rregullave do të ishte edhe më i vështirë. Kjo është konfirmuar edhe nga dy diplomatë të tjerë.
“Po përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje, por ky problem me Greqinë tregon se kemi filluar të përplasemi me interesa thelbësore ekonomike”, tha një diplomat.












