Orban mburret pas takimit me Trumpin: “Amerikanët kanë premtuar ta mbrojnë financiarisht Hungarinë”

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump, njoftoi se Budapesti ka arritur një “marrëveshje mburojë financiare” me Uashingtonin për të mbrojtur ekonominë dhe sistemin financiar të vendit.

Orban, një aleat i vjetër politik i Trumpit, u takua me të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku kërkoi përjashtim nga sanksionet amerikane ndaj naftës dhe gazit rus dhe arriti të sigurojë një përjashtim njëvjeçar.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Hungaria është zotuar të blejë gaz natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në një marrëveshje me vlerë rreth 600 milionë dollarë.

Në rrugën e kthimit për në Budapest, Orban deklaroi për gazetarët:
“Kam arritur një marrëveshje me presidentin e SHBA-ve për një mburojë financiare. Nëse Hungaria ose sistemi ynë financiar sulmohet nga jashtë, amerikanët kanë dhënë fjalën se do të mbrojnë stabilitetin tonë financiar.”

Që nga viti 2010 në pushtet, Orban është bërë kritiku më i ashpër i Bashkimit Evropian, i cili ka ngrirë miliarda euro fonde për shkak të reformave që, sipas Brukselit, cenojnë shtetin e së drejtës.

Sipas analistëve politikë, Orban mund të përballet me zgjedhje të vështira vitin e ardhshëm. Ai nuk zbuloi detajet e marrëveshjes me Trumpin, por tha se “ekonomia hungareze nuk do të mund të kërcënohet më financiarisht”.

Ekonomia e Hungarisë ka qenë në stanjacion prej tre vitesh, pas inflacionit të lartë që pasoi pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022. Megjithatë, forinta është bërë monedha më fitimprurëse në Evropën Qendrore në vitin 2024, falë normës më të lartë të interesit në BE./Gazeta e Re

Kategoritë
BotaLajme