OKB-ja paralajmëron “katastrofë” nëse Izraeli sulmon qytetin Rafah në Rripin e Gazës

Komisari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, bëri thirrje edhe një herë për një “armëpushim për arsye humanitare”

Komisari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka paralajmëruar një “katastrofë” në rast të një ofensive ushtarake izraelite në Rafah në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Në një intervistë me televizionin austriak ORF të enjten në mbrëmje, Türk bëri thirrje edhe një herë për një “armëpushim për arsye humanitare”.

“Unë as nuk e di se çfarë fjalë të tjera të përdor. Por kjo do të ishte e paimagjinueshme”, u përgjigj Türk kur u pyet për një sulm të mundshëm izraelit në Rafah.

Gjatë intervistës, zyrtari i OKB-së theksoi se rreth 1,5 milion njerëz jetojnë në Rafah në një hapësirë të kufizuar.

Sipas Türk, Rripi i Gazës është një nga zonat me popullsi më të dendur në botë, prandaj ai tha se ka dyshime për njoftimin e Izraelit për të zhvendosur popullsinë civile në zona të sigurta përpara një sulmi.

59-vjeçari austriak vazhdoi duke shpjeguar se pjesa më e madhe e veriut në veçanti është shkatërruar tashmë. Ai tha se nuk e di se “ku njerëzit mund të gjejnë ende mbrojtje”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Kombet e Bashkuara nuk janë në dijeni të ndonjë plani izraelit për evakuim.

“Dhe mua më duket pothuajse e pamundur të kryhet një gjë e tillë. Situata humanitare në Rripin e Gazës është jashtëzakonisht e pasigurt”, shtoi ai.

Në veri, në veçanti, është “pothuajse e pamundur për të marrë ndonjë ndihmë të vërtetë humanitare”, tha Türk, duke shtuar se popullsia po vuan në kushte ekstreme.

Ajo që nevojitet në Rripin e Gazës është ndihma humanitare, “por ajo nuk po hyn në masën që duhet”, shtoi zyrtari i OKB-së.

Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli i ka vazhduar sulmet e tij në Rripin e Gazës, ku të paktën 31.490 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 73.439 janë plagosur që nga 7 tetori, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Izraeli e ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë afro 1.200 njerëz.

Lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme, krahas mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme