Nuk u zgjodh as sot nënkryetari serb i Kuvendit, zvarritet më tej konstituimi

As në vazhdimin e sotëm të seancës së Kuvendit të Kosovës nuk u zgjodh nënkryetari nga komuniteti serb që shtyn më tej përmbylljen e konstituimit të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ndërpreu seancën dhe tha se administrata do të njoftojë se kur vazhdon ajo.

Lista Serbe paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Murati: Nëse jo Rashiq, kush duhet të zgjidhet nënkryetar nga pakica serbe

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka kritikuar partitë politike që kanë qenë në opozitë në legjislaturën e kaluar, PDK, LDK dhe AAK e Nisma, për mosvotimin e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i deputetëve të opozitës, ku një pjesë abstenon, siç janë deputetët e PDK-së dhe AAK dhe NISMA, ndërsa ata të LDK nuk merr pjesë në votim”, tha Murati për gazetarë.

Ai tha se dëshiron t’i pyesë ata se, “nëse jo Nenad Rashiq, kush nga pakica serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, sipas tyre”.
“Besoj këtë pyetje duhet t’ua bëjmë atyre vazhdimisht deri në seancën e ardhshme”, shtoi ai.

Krasniqi i kundërpërgjigjet Abdixhikut: E kam lutur ta bëjmë qeverinë e ish-opozitës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se përkundër faktit që PDK-ja mbajti zotimin për zhbllokimin e Kuvendit, LVV-ja ka në plan zhvillimin e bllokadës, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, këtu ka një tentim që të mos shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit.

Ai shtoi se e gjithë Lëvizja Vetëvendosje me entuziazëm po angazhohet që Nenad Rashiqi të jetë nënkryetar dhe se më pak angazhim ka pasur për Bashën.

Krasniqi iu kundërpërgjigj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili i cilësoi si ‘’gabim trashanik’’ votat e PDK-së dhe AAK-së për zgjedhjen e Dimal Bashës për kryetar i Kuvendit.

Krasniqi tha se do të ishte mirë që Abdixhiku dhe partia që e drejton të bëhen pjesë e zhbllokimit.

‘‘Partitë politike funksionojnë ndamas. E mira kish me qenë edhe zoti Abdixhiku edhe LDK me qenë pjesë e zgjidhjes edhe pjesë e zhbllokimit.

Një mundësi ideale e kemi pasur prej 10 shkurtit, të cilin e kam lutur hajde e bëjmë qeverinë e ish- opozitës. Deri tash ju garantojë që e kishit pas Bedri Hamzën kryeministër dhe katër muajt e fundit i kishin pas qytetarët pagat e rrituna, pensionet e rrituna, nuk kish pas shanse me u rritë tarifat e energjisë 300% për bizneset, edhe shumë prej probleme tjera ishin zgjidh deri tash. Vendimet e partive politike janë individuale, por pastaj edhe përgjegjësia ndaj qytetarëve është individuale apo edhe grupore’’, tha Krasniqi.

Gashi: Basha përfaqësuesi më autentik i Vetëvendosjes

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e quajti Dimal Bashën përfaqësuesin më autentik të Vetëvendosjes, raporton Ekonomia Online.

“Ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet, e cila nuk po do me e shpërfaq autenticitetin e VV-së. Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë”, u shpreh ai.

Sa i përket pjesëmarrjes në votimin për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Gashi tha se duhet pyetur Hykmete Bajrami, e cila është shefe e grupit parlamentar të LDK-së.

Ai tha se as Nenad Rashiq e “as aj tjetri”, s’kanë dallim ndërmjet vete dhe se nuk i voton asnjërin.

Haradinaj: Ndërhyrja në procedurën e votimit për nënkryetarin serb – jokushtetuese, kritika edhe Abdixhikut

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vlerësoi jokushtetues ndarjen e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë është dashur të bëhet në pako.

Haradinaj i cili doli nga seanca e sotme para se të hidhen në votim kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, tha se Kurti qëllimshëm po tenton të vazhdojë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojë të jetë si kryeministër në detyrë.

Ai kritikoi sërish për LDK-në dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.

“Nuk ka fajësi Aleanca, me numrin e votave që ka, i ka kryer detyrat e veta. I është drejtuar gjykatës dhe ka marrë veprimet e veta. Kanë fajësi ata që po vendnumërojnë dhe ata që janë bërë shkaktar që opozita të mos jetë e bashkuar dhe mos të kenë një shumicë të vetën”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, për një hulumtim në bashkautorësi të kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili fliste kundër UÇK-së, Haradinaj tha se e ka thënë me kohë që Vetëvendosje s’i shërben agjendës së Kosovës.
“Sa i përket shkrimeve të Dimalit dhe atyre, ju e dini se qëndrimet i kam të qarta se nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës këta njerëz, e kam deklaruar me kohë. Ka edhe shumë tjerë që në momente të caktuara kanë sulmuar UÇK-në, ju e dini sa i sulmuar kam qenë dhe jam kohë pas kohe. T’ju them të drejtën nuk më bëjnë shumë përshtypje këto më”, tha ai.

imaj për punimin e Bashës: Ka fyer dhe shtrembëruar vendin e vet, kjo është shumë serioze

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas publikimit të punimit të kryeparlamentarit Dimal Basha, ku përmendet në mënyrë kritike UÇK-ja.

Ai ka thënë se artikulli është i papranueshëm dhe cenon rëndë vendin dhe popullin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Ai është një punim shkencor që shërben për studentë, profesorë, prokurorë, gjyqtarë, propagandistë. Është një hulumtim shkencor, i bazuar dhe i publikuar nga dy autorë. Më vjen shumë keq që një shqiptar, për të publikuar një punim shkencor, ka fyer, ofenduar, rrënuar dhe shtrembëruar vendin dhe popullin e vet. Kjo është shumë serioze, serioze është edhe natyra e artikullit”.

Lista Serbe do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij, janë shkelur të drejtat themelore të popullit serb dhe dispozitat kushtetuese e rregullorja e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka njoftuar se partia e tij do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

“Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, sepse rregullat janë shkelur. E shfrytëzoj rastin që t’i ftoj deputetët e partive të tjera shqiptare dhe të komuniteteve të tjera jo shumicë që të mos votojnë kundër një vendimi kushtetues,” ka theksuar Simiq.

Ai ka shtuar se Slavko Simiq gëzon mbështetjen e nëntë nga dhjetë deputetët serbë dhe se vendi i nënkryetarit i takon atij.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi