Judy dhe Jan Johnson, gjyshërit e senatorit të sapozgjedhur amerikan Abdul El-Sayed, kanë deklaruar për ABC News Live se janë krenarë për nipin e tyre që nga koha kur ai hyri në jetën e tyre si fëmijë. Tani, ata shprehen të lumtur që ai do të bëhet pjesë e historisë.
El-Sayed fitoi të martën garën për një vend në Senatin amerikan nga shteti i Michiganit, duke u bërë myslimani i parë i zgjedhur në Senatin e Shteteve të Bashkuara.
Judy dhe Jan Johnson nuk janë gjyshërit biologjikë të El-Sayed, por prindërit e njerkës së tij, Jackie, me të cilën babai i Abdulit u martua kur ai ishte fëmijë.
Sipas ABC News, familja Johnson e pranoi atë si nipin e tyre dhe luajti një rol të rëndësishëm në rritjen dhe edukimin e tij.
“Ai është sot njësoj siç ishte atëherë. Shumë energjik, shumë inteligjent, i artikuluar dhe me një dëshirë të sinqertë për t’i ndihmuar njerëzit”, tha Judy Johnson.
Babai i El-Sayed u martua me vajzën e tyre Jackie kur Abduli ishte katër vjeç. Gjyshërit tregojnë se e pranuan menjëherë si pjesë të familjes.
“Ndjeva sikur ai hyri drejt e në zemrën time. Që nga fillimi kisha një ndjenjë shumë të mirë”, kujtoi Jan Johnson.
“Ishte një fëmijë energjik, por gjithmonë i respektonte të moshuarit”
Judy Johnson tregoi se Abduli, ashtu si vajza e tyre Jackie, kishte qenë një fëmijë që kërkonte shumë përkushtim gjatë rritjes.
Megjithatë, ajo theksoi se ai gjithmonë i respektonte të moshuarit dhe me kalimin e viteve u bë më i disiplinuar.
Gjatë studimeve në Universitetin e Michiganit, El-Sayed jetoi në shtëpinë e gjyshërve.
Judy kujtoi se ajo dhe bashkëshorti i saj e ndihmonin në gjithçka, nga komentimi i punimeve universitare deri te kujtesat për të larë rrobat.
Gjyshërit u shfaqën edhe në një video të fushatës zgjedhore, ku folën për fëmijërinë dhe rritjen e tij.
Sipas Judy, Abduli e telefononte çdo javë gjatë fushatës, ndërsa natën e zgjedhjeve ata e kaluan së bashku me të, në festën e organizuar pas fitores.
“U përpoqëm të mos i shihnim sulmet për shkak të fesë së tij”
E pyetur për sulmet dhe komentet negative ndaj nipit të saj për shkak të besimit mysliman, Judy Johnson tha se familja ishte përpjekur të përqendrohej te gjërat pozitive.
“U përpoqëm të mos i shihnim të gjitha ato gjëra negative. Gjatë fushatës u munduam të qëndronim pozitivë”, deklaroi ajo.
Judy dhe bashkëshorti i saj janë të dy dhjakë në Kishën Presbiteriane.
Pavarësisht dallimeve fetare, ata tregojnë se familja e tyre ruan lidhje të forta dhe tradita të përbashkëta.
Një familje që feston së bashku, pavarësisht dallimeve fetare
Gjyshërit tani po presin me padurim Ditën e Falënderimeve, një festë që ka rëndësi të veçantë në familjen e tyre.
Ata planifikojnë ta kalojnë këtë ditë me El-Sayed dhe pjesën tjetër të familjes.
Prej vitesh, El-Sayed është ai që i pret familjarët në shtëpinë e tij për këtë festë.
“Të gjithë në familjen tonë e festojnë Ditën e Falënderimeve. Mblidhemi së bashku, kalojmë bukur dhe secili kontribuon në përgatitjen e ushqimit”, tha Judy Johnson.
