Mes rrënojave të ndërtesave dhe tendave ku strehohen të zhvendosurit, 250 çifte palestineze kurorëzuan dashurinë e tyre të premten në bregdetin e qytetit të Gazës, gjatë një ceremonie masive martesore të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ceremonia, e quajtur “Fustani i Gëzimit 3”, u mbajt në Sea Club, përgjatë bregdetit të qytetit të Gazës. Ajo u organizua nga komiteti mbështetës i operacionit humanitar emiratas “Al-Faris Al-Shahm 3”, në bashkëpunim me Fondacionin Saqr bin Mohammed Al Qasimi.
Dhjetëra automjete të zbukuruara me flamuj palestinezë dhe lule formuan një kolonë dasmore përgjatë rrugës bregdetare, duke kaluar pranë ndërtesave të shkatërruara dhe tendave ku jetojnë familjet e zhvendosura nga lufta.
Dhëndurët ishin veshur me kostume, ndërsa nuset mbanin fustane të bardha me qëndisje tradicionale palestineze. Gjatë ceremonisë u intonuan himnet kombëtare të Palestinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas organizatorëve, për të marrë pjesë në këtë ceremoni kishin aplikuar 11.622 persona. Pas verifikimit të kritereve, 1.335 aplikues kaluan në shortin përfundimtar, nga i cili u përzgjodhën 250 dhëndurë.
Dasma pa praninë e nënës
Njëri nga dhëndurët, Munir al-Tatari, gjatë luftës kishte humbur nënën dhe anëtarë të tjerë të familjes, ndërsa shtëpia e tij ishte shkatërruar plotësisht.
Në një deklaratë për PressTV, ai tha se palestinezët, pavarësisht luftës dhe shkatërrimeve, janë një popull që e do jetën dhe festën.
“Ne jemi një popull që duam të festojmë dhe të jetojmë, pavarësisht shkatërrimeve dhe luftës”, u shpreh ai.
“Po fillojmë një jetë të re”, deklaroi për të njëjtën media dhëndri Saed al-Najjar, shtëpia e të cilit gjithashtu ishte shkatërruar gjatë bombardimeve.
Ceremonia e tretë masive e martesave në Gaza
Kjo është ceremonia e tretë masive e martesave që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë organizuar në Rripin e Gazës.
Në dhjetor të vitit të kaluar, në Khan Younis u martuan 54 çifte, ndërsa në prill të këtij viti, 300 çifte kurorëzuan martesën në Deir al-Balah, raportoi agjencia emirate e lajmeve WAM.
Operacioni humanitar “Al-Faris Al-Shahm 3” u nis nga Emiratet e Bashkuara Arabe në nëntor të vitit 2023, me qëllim ofrimin e ndihmës humanitare për popullsinë palestineze në Gaza.