Putin konfirmon takimin Rusi-SHBA-Ukrainë të planifikuar për të martën e ardhshme në Abu Dabi

Putin konfirmon takimin Rusi-SHBA-Ukrainë të planifikuar për të martën e ardhshme në Abu Dabi

– Raundi i radhës i negociatave trepalëshe është planifikuar për të martën dhe të mërkurën në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, raportojnë mediat shtetërore ruse.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës për luftën në vazhdim pritet të nisë të martën e ardhshme në Abu Dabi, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass, transmeton Anadolu.

Gjatë një takimi me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Putin ka thënë se ka ftuar përfaqësuesit e delegacionit rus që pritet të udhëtojnë drejt Abu Dabit, kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, për bisedimet.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit kanë marrë pjesë Vladimir Medinsky, Igor Kostyukov, Yuri Ushakov, Mikhail Galuzin dhe Sergei Ryabkov, raportoi Tass.

“Duke qenë se negociatat pritet të zhvillohen të martën, i ftova kolegët që do të marrin pjesë në këto bisedime”, ka thënë Putin, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti.

Mediat shtetërore ruse raportuan se bisedimet do të zgjasin dy ditë.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte thënë më herët se palët synojnë të diskutojnë garancitë e sigurisë, uljen e tensioneve, çështjet humanitare dhe hapat e mëtejshëm drejt një zgjidhjeje paqësore.

Kremlini ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e delegacionit rus në negociata.

Delegacioni rus në bisedimet në Abu Dabi do të drejtohet nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky.

Kategoritë
BotaLajme