Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku 18-vjeçari me inicialet L.F. ka humbur jetën më 20 janar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohej pasi ishte sulmuar më 14 janar nga dy të mitur.
Njëri nga të dyshuarit, E.K., sipas Shërbimit Korrektues, ka qenë në paraburgim më parë për veprën “lëndim i rëndë trupor” dhe i është caktuar Masa Edukuese me dërgim në Institucion Edukativo Korrektues për një periudhë prej dy vitesh, masë të cilën nuk do ta mbante nëse ai shmang veprat penale në tri vitet e ardhshme.
“E.K për veprën: lëndim të rëndë trupor ka qenë në paraburgim nga data 07.12.2021 deri më 28.02.2022 në Qendrën Korrektuese për të Mitur Lipjan, ku të njëjtit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i është shqiptuar Masë Edukuese, Dërgim në Institucion Edukativo Korrektues në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, e të cilën masë nuk do ta mbante nëse në afat prej tri (3) vitesh nuk do të kryej vepër tjetër penale. Ndërsa, A.A nuk ka qenë asnjëherë i vendosur në institucione korrektuese”, kështu ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues.