Një arrestim i pazakontë ndodhi dje në Amsterdam. Në rrjetet sociale po qarkullon një video e arrestimit të personit përgjegjës për sulmin me thikë në Amsterdam.
Pesë persona u plagosën në një sulm me thikë të enjten pranë sheshit qendror Dam në Amsterdam. Në vendngjarje kishte shumë policë, u ngrit edhe një helikopter, dhe së shpejti u bë e ditur se sulmuesi ishte arrestuar.
Pamjet e arrestimit filluan të përhapen në rrjete sociale, dhe rezultoi se i riu që e neutralizoi sulmuesin ishte një turist, njoftoi policia holandeze, sipas të përditshmes De Telegraaf.
Zëdhënësja e policisë nuk mundi të thotë nga cili shtet ishte turisti apo nëse kishte ndonjë të kaluar ushtarake, duke pasur parasysh që në pamje ai vepron shumë i sigurt në vete.
Policia e quajti ndërhyrjen e qytetarit një akt “heroik”. Burri kreu të ashtuquajturin “arrestim qytetar”, gjë që, sipas zëdhënëses së policisë së Amsterdamit, është e lejueshme nëse qytetari është dëshmitar i një krimi.
“Nëse e kapni të dyshuarin në momentin e kryerjes së veprës, mund ta mbani derisa të arrijë policia,” shpjegon ajo. Sipas saj, kjo nuk ndodh shpesh.
Të plagosurit janë: një grua 67-vjeçare dhe një burrë 69-vjeçar me shtetësi amerikane, një 26-vjeçar me shtetësi polake, një grua 73-vjeçare nga Belgjika dhe një 19-vjeçare nga Amsterdami.
Ministri i drejtësisë dhe sigurisë David van Weel tha të enjten se nuk mund të komentonte për motivin apo sfondin e incidentit. “Është ende herët për këtë,” u shpreh ai.
Ai nuk mundi të konfirmonte nëse do të hapet hetim për terrorizëm, por tha se asgjë nuk përjashtohet.