Një tjetër djalë i Mefail Shkodrës u ndalua për 48 orë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan

Enis Shkodra, djali i Mefail Shkodrës, autorit të dyshuar i vrasjes së trefishtë mesditën e së dielës në Gjilan, është liruar sot nga një ndalim 48-orësh nga Policia.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i tha Gazetës Express se ai “është arrestuar në fillim, menjëherë aty në vendin e ngjarjes” të dielën.

“Ky nuk është tek ata krysorët që jemi duke i kërkuar. Ka qenë i ndaluar për 48 orë. Policia nganjëherë i ndalon personat në vendin e ngjarjes, sepse nuk e dimë a është i involvuar apo jo deri në një hetim më të detajuar”, tha ai.

Hashani tha se nuk e di nëse prokurori i rastit apo gjykatësi i procedurës paraprake ka vendosur ta lirojë atë.

Lirimin e konfirmoi Lirije Kovani, avokatja e Enis Shkodrës, e cila i tha Gazetës Express se klienti i saj “ka alibi se në kohën kur ka ndodhur rasti ka qenë duke bërë video-xhirime në një aheng familjar në një nga restorantet e komunës së Gjilanit”.

“Ai është njoftuar nga nëna e tij për rastin që ka ndodhur dhe me të arritur në vendin e ngjarjes i njëjti i dëgjon njerëzit që flasin për rastin dhe për një moment, zyrtarët policorë e pyesin se kush është, i njëjti tregon dhe e marrin, e fusin në veturë zyrtare”, tha avokatja.

Ajo tha se Enis Shkodra u intervistua nën dyshimet për involvim në ngjarjen e rëndë, por që më pas “është dëshmuar se nuk ka qenë i involvuar në veprën penale”.

Mefail Shkodra dyshohet se i vrau tre persona mesditën e së dielës në Gjilan dhe u arratis bashkë me dy djemtë e tij, Edonisin (25) dhe Engjullin (22) nga një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova” ku ndodhi ngjarja e rëndë.

52-vjeçari u shpall menjëherë në kërkim. Më vonë gjatë ditës Policia publikoi fotografitë dhe të dhënat edhe të dy djemve të tij, të cilët dyshohet se janë përfshirë gjithashtu në këtë rast.

Tre persona u vranë, dy prej tyre babë e bir. Dy nga ta vdiqën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa njëri nuk arriti t’u mbijetojë plagëve duke vdekur pasi u dërgua në emergjencën e spitalit të Gjilanit.

Kategoritë
LajmeVendi