Një nga udhëtimet e rralla: Benjamin Netanyahu më 2 prill shkon në Hungari, do të takohet me Orbanin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të udhëtojë më 2 prill në Hungari, njoftoi zyra e tij, pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për dyshime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Pritet që Netanyahu, para se të kthehet në Izrael më 6 prill, të takohet në Hungari me kryeministrin Viktor Orban dhe zyrtarë të tjerë të lartë hungarezë.

Orban e ka ftuar Netanyahun për vizitë, pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar vitin e kaluar nga ICC. Ai e ka dënuar ashpër vendimin e gjykatës, duke e quajtur “të turpshëm”.

ICC ka lëshuar urdhra arresti për Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte që lidhen me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza.

Konflikti filloi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit. Hungaria e ka nënshkruar Statutin e Romës – traktatin ndërkombëtar që në vitin 1999 e themeloi ICC-në – dhe e ratifikoi atë dy vjet më vonë gjatë mandatit të parë të Orbanit si kryeministër (1998–2002).

Megjithatë, Budapesti nuk e ka miratuar kurrë konventën ndërlidhëse me Statutin e Romës për shkak të pajtueshmërisë me Kushtetutën e saj dhe për këtë arsye pretendon se nuk është e detyruar të respektojë vendimet e ICC-së.

Kategoritë
BotaLajme