Shtetasja turke dhe doktorante në Universitetin Tufts, Rumeysa Özturk (30), është arrestuar nga agjentë të maskuar të Departamentit Amerikan për Siguri të Brendshme (DHS) në Massachusetts, pa ndonjë shpjegim paraprak.
Avokatja e saj, Mahsa Khanbabai, deklaroi se autoritetet kanë refuzuar të japin informacione mbi statusin dhe vendndodhjen aktuale të saj.
Özturk, e cila kishte vizë valide studentore F-1, u ndalua në Somerville teksa po shkonte për iftar. Pamjet e arrestimit tregojnë gjashtë persona të maskuar duke ia konfiskuar telefonin dhe duke i vënë prangat. Në video dëgjohet dikush që thotë: “Ne jemi policia”, ndërsa një kalimtar pyet: “Pse i keni të mbuluara fytyrat?”
Sipas avokates së saj, Özturk ka qenë në bisedë telefonike me nënën e saj kur agjentët e maskuar e kanë ndaluar. “Nuk e dimë ku ndodhet dhe nuk kemi mundur të kontaktojmë me të. Deri tani, nuk është ngritur asnjë aktakuzë ndaj saj”, tha Khanbabai.
Anulimi i papritur i vizës
Administrata e Universitetit Tufts konfirmoi se Özturk ishte studente e tyre, por theksoi se nuk kishte asnjë informacion mbi arrestimin e saj dhe se universiteti nuk kishte ndarë të dhëna me autoritetet.
Viza e Özturk është anuluar papritur, pa asnjë shpjegim. Megjithatë, një zyrtar i lartë i DHS më vonë pretendoi se arsyeja e ndalimit ishte “mbështetja për Hamasin”, pa dhënë prova konkrete. Özturk më parë kishte qenë një nga bashkautore të një artikulli ku bëhej thirrje për njohjen e “gjenocidit palestinez” dhe tërheqjen e investimeve të Tufts që kanë lidhje me Izraelin.
Pas publikimit të atij artikulli, emri i saj u përfshi në listën kontroverse të “Canary Mission”, një faqe që shënjestron aktivistët pro-palestinezë në SHBA.
E çuar në qendrën e deportimeve në Louisiana
Gjykatësja federale Indira Talwani urdhëroi autoritetet që të mos e zhvendosin Özturk jashtë Massachusetts-it pa një paralajmërim paraprak prej 48 orësh. Megjithatë, përkundër këtij ndalimi, ICE e transferoi Özturk në një qendër ndalimi në Basile, Louisiana, mijëra kilometra larg.
Protesta dhe reagime
Arrestimi i saj ka shkaktuar reagime të ashpra nga politikanë dhe qytetarë. Kongresistja Ayanna Pressley e quajti rastin “një shkelje të tmerrshme të Kushtetutës”, ndërsa prokurorja e përgjithshme e Massachusetts-it, Andrea Joy Campbell, paralajmëroi se “arrestimet si pritë të kundërshtarëve politikë nuk janë siguri publike, por frikësim”.
Në Somerville u mblodhën qindra protestues duke kërkuar lirimin e saj. Ata mbanin pankarta me mbishkrimet “Lironi Rumeysa Özturk” dhe “Larg duart nga studentët”, duke shprehur mbështetje për Palestinën.
Ministria e Jashtme e Turqisë bëri të ditur se po e ndjek nga afër situatën dhe është në kontakt me autoritetet amerikane për të mbrojtur të drejtat e shtetases së saj.