Nis takimi i Osmanit me Stoltenbergun

Ka nisur takimit mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, shkruan Reporteri.net.

Pas takimit me të parën e vendit, shefi i NATO-s do të pritet në takim nga kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.

Sipas njoftimit të NATO-s mëngjesin e së hënës, Stoltenberg më pas do të vizitojë Kampin e KFOR-it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR-it dhe do t’iu adresohet trupave.

Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi