Qeveria nigeriane ka njoftuar se po anulon një politikë të diskutueshme që urdhëronte përdorimin e gjuhëve indigjene për mësimdhënie në vitet e para të shkollimit në vend të anglishtes, ka raportuar BBC,
Ministri i Arsimit Tunji Alausa tha se programi, i prezantuar vetëm tre vjet më parë, nuk kishte arritur të jepte rezultate dhe po hiqej menjëherë.
Në vend të kësaj, anglishtja do të rikthehet si mjet mësimor nga nivelet parashkollore deri në universitet.
Programi, tashmë i mbyllur, u lançua nga ish-Ministri i Arsimit Adamu Adamu, i cili kishte argumentuar se fëmijët mësonin më me efikasitet në gjuhën e tyre amtare.
Në atë kohë, Adamu argumentoi se nxënësit i kuptonin konceptet më lehtë kur mësoheshin në “gjuhën e tyre amtare” – një pikëpamje e mbështetur nga studime të shumta të OKB-së mbi arsimin e hershëm të fëmijërisë.
Sistemi arsimor i Nigerisë po përballet me probleme serioze, të tilla si mësimdhënia me cilësi të dobët, materialet e pamjaftueshme, pagat e ulëta për mësuesit dhe grevat e shumta.
Edhe pse 85% e fëmijëve shkojnë në shkollën fillore, më pak se gjysma e tyre e përfundojnë arsimin e mesëm.
Rreth 10 milionë fëmijë janë jashtë shkollës në Nigeri, më shumë se në çdo vend tjetër, sipas OKB-së.














