Nga i kërkuar në listat amerikane, në fushën e basketbollit me gjeneralët amerikanë: Lideri sirian luan basket me komandantët e SHBA-së

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa dhe ministri i tij i punëve të jashtme, Asaad al-Shaibani, janë filmuar duke luajtur basketboll me komandantë të lartë amerikanë, ndërsa Damasku dhe Uashingtoni vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet e tyre.

Al-Sharaa dhe Shaibani u panë duke luajtur me komandantin e CENTCOM-it, admiralin Brad Cooper, dhe Kevin Lambert, shefin e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it.

Videon e publikoi vetë Shaibani në Instagram, me përshkrimin:

“Puno fort, luaj më fort. Disa lëvizje në parket me admiralin Brad Cooper dhe gjeneralin Kevin Lambert.”

Edhe pse nuk u tregua vendndodhja, publikimi i videos përkoi me vizitën historike të al-Sharaa në Shtetet e Bashkuara, ku ai pritet të takohet të hënën me presidentin Donald Trump.

Ky nuk është takimi i parë mes al-Sharaa dhe Cooper – dyshja janë takuar më herët edhe në Damask.

Më herët këtë muaj, i dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, deklaroi se shpreson që al-Sharaa të nënshkruajë një marrëveshje për t’iu bashkuar koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër ISIS-it.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Sirisë njoftoi të dielën në mëngjes se kishte zhvilluar 61 operacione bastisjeje dhe arrestuar 71 persona, në një “fushatë proaktive për neutralizimin e kërcënimeve nga ISIS-i”, raportoi agjencia shtetërore SANA.

Ahmed al-Sharaa, i njohur më parë edhe si al-Julani, për vite me radhë ka qenë një nga njerëzit më të kërkuar në listat amerikane. Si ish-pjesëtar i Al-Kaidës dhe udhëheqës i degës siriane të saj, ai konsiderohej një nga figurat kyçe të rrjeteve xhihadiste në Lindjen e Mesme.

Shërbimet amerikane të inteligjencës dhe ushtria kishin ndjekur për vite gjurmët e tij, ndërsa emri i tij renditej ndër militantët më të rrezikshëm të rajonit.
Për rolin e tij në krijimin dhe drejtimin e strukturave xhihadiste, Uashingtoni kishte ofruar miliona dollarë shpërblim për informacion që do të çonte në kapjen e tij.

Sot, i njëjti njeri që dikur ishte jashtë çdo kapjeje, shihet në një ndeshje miqësore basketbolli me gjeneralë amerikanë – një pamje që simbolizon kthesën dramatike të marrëdhënieve midis Sirisë dhe SHBA-së.

Kategoritë
BotaLajme