Netanyahu pranon se shefi i inteligjencës egjiptiane njoftoi Izraelin para sulmit të Hamasit

Netanyahu pranon se shefi i inteligjencës egjiptiane njoftoi Izraelin para sulmit të Hamasit

Njoftimet e mëparshme thonë se Abbas Kamel paralajmëroi për një operacion të madh të Hamasit 11 ditë para se të ndodhte ai.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi se shefi i atëhershëm i inteligjencës egjiptiane kishte vizituar Izraelin pak para sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, pasi kishte hedhur poshtë vazhdimisht raportimet se Kajro e kishte paralajmëruar për një sulm të afërt, raportoi të martën gazeta izraelite “Haaretz”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për kanalin izraelit “Channel 14”, Netanyahu konfirmoi se Abbas Kamel kishte qëndruar në vend për 59 minuta, por pretendoi se nuk e dinte se cili zyrtar izraelit ishte takuar me të.

“Dua të di se me kë është takuar”, tha Netanyahu, duke iu referuar të ashtuquajturit “shtet i thellë”. Ai mohoi se ishte takuar apo kishte biseduar me Kamelin, duke thënë se në atë kohë po merrte pjesë në një ceremoni përkujtimore për ushtarët izraelitë.

Netanyahu kishte hedhur poshtë më parë si “lajme të rreme” raportimet se Kameli e kishte paralajmëruar për një sulm të afërt të Hamasit. Në fund të shtatorit, revista “The Atlantic” raportoi se Kameli kishte udhëtuar drejt Izraelit më 26 shtator 2023, 11 ditë para sulmit, për të paralajmëruar se Hamasi po përgatitej të kryente një sulm të madh.

Duke cituar zyrtarë izraelitë, egjiptianë, arabë, amerikanë dhe evropianë, të cilët ishin informuar për vizitën, revista tha se Kameli i kishte kërkuar Izraelit t’i ofronte Hamasit lëshime ekonomike për të shmangur një përballje. Sipas saj, identiteti i zyrtarit izraelit me të cilin ishte takuar mbeti i paqartë.

Muajin e kaluar, “The Wall Street Journal” raportoi se Kameli e kishte telefonuar Netanyahun disa ditë para sulmit, pas dy paralajmërimeve të mëparshme nga Egjipti, të cilat nuk ishin marrë parasysh.

“The New York Times” raportoi në shtator se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të mundshëm të madh të Hamasit, por kryeministri izraelit nuk ua kishte përcjellë paralajmërimin drejtuesve të shërbimeve të sigurisë.

Kategoritë
BotaLajme