Izraeli duhet të investojë ndjeshëm në “operacione ndikimi” në mediat tradicionale dhe ato sociale për t’iu kundërvënë izolimit ekonomik që vjen si pasojë e publicitetit negativ jashtë vendit, deklaroi të hënën kryeministri Benjamin Netanyahu.
Duke folur në një konferencë të Ministrisë së Financave, Netanyahu tha se investimet e huaja në Izrael kanë mbetur stabile pas luftës 12-ditore kundër Iranit në qershor, për të cilën ai tha se hoqi qafe kërcënimin e menjëhershëm nga një armik i armatosur me armë bërthamore.
Por, në një pranim të rrallë të izolimit që buron nga kritikat ndërkombëtare ndaj luftës së Izraelit në Gaza, ai tha se Izraeli tani po përballet me kërcënimin ekonomik të sanksioneve dhe masave të tjera.
Izolimin ai e atribuoi minoriteteve në Evropë që promovojnë “ideologji anticioniste dhe ekstremisht islamiste”, si dhe shteteve si Katari, sponsori i televizionit arab Al Jazeera, që investojnë në formësimin e diskursit global përmes rrjeteve sociale.
“Kjo çon drejt sanksioneve kundër Izraelit dhe ndryshon pozitën ndërkombëtare të Izraelit, e që pastaj shkakton njëfarë izolimi të Izraelit. Ne mund të dalim nga kjo izolim, por duhet të investojmë fuqishëm në kundërmasa, veçanërisht në operacionet e ndikimit mediatik dhe në rrjetet sociale,” tha Netanyahu.
Netanyahu tha se Izraeli duhet të zvogëlojë varësinë e industrisë së tij nga tregtia me vendet e tjera.
“Mund të gjendemi të bllokuar jo vetëm në kërkim dhe zhvillim, por edhe në vetë prodhimin industrial. Duhet të fillojmë të zhvillojmë kapacitetet tona për t’u mbështetur më shumë tek vetja,” tha ai, duke shtuar se kjo duhet të përfshijë edhe armët dhe produktet e tjera mbrojtëse.
Në reagim, lideri i opozitës Yair Lapid tha se izolimi ndërkombëtar është “produkt i politikës së gabuar dhe të dështuar të Netanyahut dhe qeverisë së tij”.
“Ata po e shndërrojnë Izraelin në një vend të botës së tretë dhe as që po përpiqen ta ndryshojnë situatën. Izraeli mund të kthehet të jetë i suksesshëm, i respektuar dhe me një ekonomi të avancuar të botës së parë,” shkroi ai në X.