Avionët luftarakë britanikë Typhoon do të marrin pjesë në misione mbrojtëse mbi Poloni me qëllim parandalimin e kërcënimeve nga Rusia, në kuadër të operacionit të NATO-s “Roja Lindore”, njoftoi sot qeveria britanike.
Vendimi u mor pasi javën e kaluar dronët rusë shkelën hapësirën ajrore polake, gjë që shkaktoi një reagim të fuqishëm nga forcat polake dhe aleate.
Avionët Typhoon do t’u bashkohen avionëve nga Danimarka, Franca dhe Gjermania për të forcuar më tej mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s, dhe fluturimet mbi Poloni pritet të nisin në ditët e ardhshme, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Dy persona të arrestuar – dron i rrëzuar mbi rezidencën e presidentit polak në Varshavë
“Sjellja e papërgjegjshme e Rusisë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye, Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë NATO-n në forcimin e mbrojtjes në krahun lindor përmes operacionit ‘Roja Lindore’,” tha kryeministri Keir Starmer, sipas Guardian.
Starmer theksoi se bëhet fjalë për një veprim jashtëzakonisht “të pamenduar” të Moskës, duke nënvizuar se presidenti rus Vladimir Putin “nuk ka asnjë interes për paqen”.
Gjatë fundjavës u regjistrua edhe një incident më i vogël, kur një dron hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë një sulmi rus mbi infrastrukturën ukrainase pranë kufirit me Rumaninë.
Ndërkohë, shërbimet e sigurisë së Polonisë sot neutralizuan një dron që fluturonte mbi godinat qeveritare në qendër të Varshavës. Kryeministri Donald Tusk konfirmoi se janë arrestuar dy shtetas bjellorusë dhe se policia po zhvillon hetime.















