Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar shtimin e presionit mbi Hamasin, ndërsa njëkohësisht vazhdon negociatat për lirimin e pengjeve dhe punon për zbatimin e planit të “emigrimit vullnetar” të presidentit amerikan Donald Trump.
Netanyahu ka konfirmuar se qeveria izraelite ka rënë dakord të rrisë presionin mbi Hamasin, i cili, nga ana e tij, pretendon se ka pranuar një propozim për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësit Egjipti dhe Katari.
Po ashtu, kryeministri i Izraelit ka hedhur poshtë pretendimet se shteti i tij, i cili pas një armëpushimi dy mujor ka rifilluar bombardimet në Gaza dhe ka rikthyer trupat në enklavë, nuk është duke negociuar.
“Ne po e bëjmë këtë nën zjarr, dhe pikërisht për këtë arsye është efektive,” tha ai dhe shtoi: “Po vërejmë se papritur po shfaqen çarje.”
Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi edhe sot, ditën e parë të Bajramit, se të paktën 20 persona janë vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë disa fëmijë. Nëntë prej tyre u vranë në një tendë në qytetin jugor Khan Yunis, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, raporton The Times of India.
Kryeministri izraelit tha se Izraeli kërkon që Hamasi të dorëzojë armët dhe se do t’u lejohet udhëheqësve të Hamasit të largohen nga Gaza.
Ai nuk dha detaje se sa kohë do të qëndrojnë trupat izraelite në enklavë, por përsëriti se kapacitetet ushtarake dhe ato të qeverisjes të Hamasit duhet të shkatërrohen. “Do të sigurojmë sigurinë e përgjithshme në Rripin e Gazës dhe do të mundësojmë zbatimin e planit të Trumpit, planit të emigrimit vullnetar,” tha ai. “Ky është plani, nuk e fshehim, jemi të gatshëm të diskutojmë për të në çdo kohë,” shtoi ai.