Në veri të Kosovës aksion me të arrestuar për vepra penale të korrupsionit

Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për media bëri të ditur se nga këto aksione janë arrestuar tetë zyrtar të doganës dhe një zyrtar policor për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit

Prokuroria Speciale e Kosovës në koordinim me Doganën e Kosovës dhe mbështetjen e Policisë ka kryer aksion në 11 lokacione në komunën e Mitrovicës së Veriut të banuar me shumicë serbe për vepra penale të korrupsionit, raporton Anadolu.

“Aksioni po kryhet me urdhër të Prokurorisë Speciale për veprat penale të korrupsionit, marrjes së ryshfetit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare”, konfirmoi paraprakisht për Anadolu Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për media bëri të ditur se nga këto aksione janë arrestuar tetë zyrtar të doganës dhe një zyrtar policor për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Sipas Prokurorisë, kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ”Marrja e ryshfetit”.

Dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor.

Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë zyrtarë, tetë nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen.

Gjithashtu, nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si: 20 plomba zyrtare të Doganës së Kosovës, dhjetë telefona së bashku me katër sim-kartela; një pistoletë e kalibrit 9mm me tre karikator dhe nëntë fishek, me leje; po ashtu edhe 16 copë municion jozyrtar.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi