Pamje dimërore kanë pritur sot banorët e disa rajoneve të Austrisë. Kjo vlen veçanërisht për shtetet federale në perëndim, ku gjatë fundjavës kanë rënë rreth gjysmë metri borë.
Ekspertët nga Qendra për Paralajmërime për Mot të Rrezikshëm (UWZ) kanë shpallur të hënën nivelin e kuq të alarmit për disa rajone, dhe është paralajmëruar gjithashtu për reshje të dendura shiu.
Në Vjenë priten edhe erëra të fuqishme, sipas parashikimeve të motit.
Është lëshuar një paralajmërim për reshje të mëdha bore që mund të shkaktojnë probleme me ortekët. Konkretisht, në disa pjesë të shtetit është në fuqi niveli i katërt dhe i pestë i rrezikut nga ortekët.
Reshje dëbore kanë rënë edhe në mëngjes në lartësi më të ulëta mbi nivelin e detit.
Sipas portalit Wetter.at, Austria është përfshirë nga një “shuplakë dimërore”, dhe shoferëve u rekomandohet që të përgatiten për kushte dimërore nëse udhëtojnë, sidomos përmes rrugëve malore.
Një zonë presioni të ulët mbi rajonin e Mesdheut ka shkaktuar reshje të vazhdueshme shiu nga e premtja deri të dielën, dhe në disa vende janë regjistruar nga 50 deri në 80 litra reshje për metër katror.
Megjithatë, për disa ditë pritet përmirësim i motit dhe temperatura mes 10 dhe 17 gradë Celsius.