Çdo vit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike merr vendim për tarifat e reja të energjisë. Zyrtarë të ZRRE-së, kanë konfirmuar për Radio Kosovën se ende nuk dihet nëse do të ketë ulje apo ngritje të tarifave të energjisë. Ekonomistët vlerësojnë se edhe një rritje e çmimit të tarifave, do të rëndonte edhe më shumë qytetarët.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë në prill të këtij viti, merr vendime të reja për tarifat e energjisë elektrike. Duke folur për Radio Kosovën zëdhënësi i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka thënë se nuk dihet nëse do të ketë ulje apo rritje të tarifave, apo tarifat do të jenë të njëjta.
Pepaj thotë se një pjesë e madhe e energjisë që konsumohet në vend, prodhohet prej termocentraleve dhe burimeve të tjera të ripërtërishme, e që burimet e ripërtërishme marrin pjesë diku me 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër është e mbuluar nga termocentralet dhe diku 10-15 për qind.
Rritja e çmimeve të energjisë, me automatizëm rrit dhe shpenzimet e tjera, çka do të rëndonte ekonominë familjare, thotë për Radio Kosovën njohësi i ekonomisë, Ardijan Sahiti.
Ndryshe, në përputhje me Rregullën e Çmimeve, ZRRE-ja kryen përshtatjet e të hyrave të lejuara dhe tarifës së rregulluar me pakicë, të realizuar në fund të çdo viti relevant. Mbi 15 për qind ishte rritja e fundit e energjisë elektrike në Kosovë.