Polonia po përgatitet për inaugurimin solemn të shtatores më të madhe të Virgjëreshës Mari në Evropë. Edhe pse hapja zyrtare është planifikuar pas dy javësh, monumenti tashmë po tërheq një numër të madh vizitorësh dhe kureshtarësh.
Shtatorja, e lartë 54,5 metra, ndodhet në Konotopie, pranë Torunjit, në Poloninë qendrore. Projekti është financuar nga miliarderët Grazyna dhe Roman Karkosik, së bashku me komunitetin lokal, ndërsa këto ditë po përfundojnë punimet e fundit ndërtimore rreth bazamentit dhe rregullimit të hapësirës përreth.
Siç raporton Reuters, turistë të shumtë nga vende të ndryshme të botës tashmë kanë filluar të mbërrijnë.
Drejtori i kompanisë Wysowa Mosty dhe kontraktori kryesor i punimeve, Tomasz Dziurny, tha se bëhet fjalë për shtatoren më të lartë të Virgjëreshës Mari në Evropë.
“Është shtatorja më e lartë e Virgjëreshës Mari në Evropë. Në Azi ekziston një tjetër që është disa metra më e lartë, por matet ndryshe sepse është vendosur mbi një ngritje. Këtu kemi një konstruksion tërësisht prej betonarmeje, përfshirë figurën e Marisë dhe kurorën, e cila do të shërbejë si pikë vrojtimi. Ky është një projekt unik sepse vizitorët do të mund të hyjnë brenda shtatores dhe të ngjiten deri në majë”, tha Dziurny.
Ai shtoi se për ndërtimin janë përdorur 3.400 metra kub beton dhe pothuajse 500 tonë çelik, ndërsa e gjithë struktura peshon rreth 11 mijë tonë.
Sipas tij, ndërtimi ka qenë një sfidë e veçantë, por punëtorët kanë marrë pjesë në projekt me shumë entuziazëm.
“Njerëzit që punuan në këtë projekt besonin në të dhe ishin krenarë për atë që po ndërtonin. Asnjëherë nuk ishte e nevojshme që dikush të motivohej shtesë për të punuar”, tha ai.
Monumenti tashmë po ngjall emocione të forta te vizitorët. Marianna Gałczyńska nga Wlocławek i afërt tha se mbeti pa fjalë kur e pa shtatoren për herë të parë.
“Jam shumë e prekur dhe kam mbetur pa fjalë. I gjithë kompleksi është i bukur, ndërsa shtatorja është vërtet madhështore”, tha ajo.
Përshtypje të ngjashme ndau edhe turistja Marta Frankiewicz.
“Përjetimi është fantastik. Jemi vërtet të impresionuar dhe na pëlqen si vetë skulptura, ashtu edhe mënyra se si është rregulluar hapësira përreth saj”, tha ajo.
Mes vizitorëve ishte edhe një turist holandez, Peter, i cili po udhëton me kamper nëpër Poloni. Ai tregoi se në fillim mendoi se përpara tij ndodhej një shtatore e Budës.
“Kur po vinim nga kjo rrugë, fillimisht mendova se ishte një shtatore e Budës. Pastaj u kujtova se në Poloni ndoshta nuk do të kishte një shtatore të Budës, sepse e di që ky është një vend shumë katolik. Atëherë kuptova se bëhej fjalë për Virgjëreshën Mari dhe thashë se duhej të ndalonim”, tregoi ai.
Ai shtoi se secili duhet të respektojë bindjet fetare të të tjerëve.
“Të gjithë duhet të jenë tolerantë ndaj fesë së cilës i përket dikush. Mua më duket pak e pazakontë, por nuk kam asgjë kundër”, tha ai.



















