Njerëzit nga të gjitha anët e vendit, duke përfshirë provincat e goditura nga tërmeti, u mblodhën për ceremoni përkujtimore, duke nderuar dhe përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën në katastrofë.
Türkiye herët të martën mbajti zi për viktimat e tërmeteve të 6 shkurtit 2023 që goditën pjesën jugore të vendit, ku humbën jetën gjithsej 53.537 njerëz dhe u plagosën më shumë se 107.000 të tjerë, raporton Anadolu.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca turke: Adana, Adiyaman, Diyarbakır, Elazığ, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaraş, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.
Më shumë se 14 milionë njerëz në Türkiye u prekën nga tërmetet, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.
Njerëzit nga të gjitha anët e vendit, duke përfshirë provincat e goditura nga tërmeti, u mblodhën për ceremoni përkujtimore, duke nderuar dhe përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën në katastrofë.
Një minutë heshtjeje dhe homazhe u mbajt për të përkujtuar viktimat e “Fatkeqësisë së Shekullit” në orën 4:17 të mëngjesit me orën lokale (0117 GMT), në momentin kur goditi tërmeti.
Në Antakya, njerëzit hodhën lule në lumin Asi, i cili rrjedh nëpër qytet.
Türkiye u bashkua kundër “Fatkeqësisë së Shekullit”
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, premtoi se do të shërojë plagët e viktimave të tërmeteve.
“Dhimbja e jetëve të humbura në tërmetet, epiqendra e të cilave ishte Kahramanmaraş, që përjetuam një vit më parë vazhdon të na djegë zemrat ashtu sikur ditën e parë”, tha Erdoğan në X.
Duke theksuar se Türkiye u bashkua kundër “Fatkeqësisë së Shekullit'”, ai tha: “Katastrofa të tilla të mëdha dhe vuajtje të mëdha janë gjithashtu pika kthese ku vihet në provë forca e unitetit, solidaritetit dhe vëllazërisë së kombeve”.
Erdoğan tha gjithashtu se qeveria po punon fort për të mbajtur premtimet e saj ndaj kombit, duke shtuar: “Ne do të vazhdojmë këto përpjekje derisa të ndërtojmë dhe rigjallërojmë qytetet tona”.
Më vonë të martën, Erdoğan do të jetë në Kahramanmaraş ku do të marrë pjesë në një ceremoni të dorëzimit të çelësave të banesave për mijëra të mbijetuar.