Në mbarë botën shënohet Dita e Kudsit: Lufta për të drejtat e palestinezëve është vlerë universale

Para 47 vitesh, e premtja e fundit e muajit të Ramazanit u përcaktua që të shënohet në mbarë botën si Dita e Kudsit – dita e solidaritetit me popullin palestinez që për dekada të tëra përballet me vuajtje të papara për shkak të okupimit, dëbimeve të detyruara dhe sulmeve të vazhdueshme.

Kjo ditë nuk është vetëm simbol i një lufte fetare apo politike, por një kujtesë globale për padrejtësinë dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.

Që më shumë se shtatë dekada, populli palestinez përballet me humbjen e tokave, kufizimin e të drejtave bazike dhe sulme të njëpasnjëshme ushtarake. Situata është përshkallëzuar sidomos gjatë një viti e gjysmë të fundit, kur në Gaza janë vrarë mbi 40 mijë civilë, ndër ta mijëra fëmijë. Qytetet janë shkatërruar, spitalet dhe shkollat janë rrafshuar me tokë, ndërsa situata humanitare është në prag të kolapsit të plotë. Miliona njerëz jetojnë pa ushqim, ujë, energji elektrike apo ndihmë mjekësore, ndërsa çdo ditë përballen me sulme të reja.

Gaza sot është simbol i vuajtjes dhe qëndresës. Është shndërruar në një “burg të hapur”, ku banorët e saj janë të ekspozuar ndaj bombardimeve të pandërprera dhe një bllokade që ua ndalon furnizimet jetike. Bota nuk mund të mbetet e heshtur përballë kësaj shkatërrimi – sepse heshtja nënkupton bashkëfajësi në krim.

Pse është e rëndësishme Dita e Kudsit?

Dita e Kudsit nuk është vetëm kujtim për vuajtjet e palestinezëve, por edhe një sinjal i qartë se bota nuk e ka harruar këtë padrejtësi. Ashtu siç shënojmë Ditën e të Drejtave të Njeriut, Ditën Ndërkombëtare të Paqes apo data të tjera që promovojnë drejtësinë dhe barazinë, edhe Dita e Kudsit mbetet simbol i rezistencës ndaj shtypjes dhe një kujtesë se çështja palestineze nuk është thjesht një konflikt rajonal, por një sfidë globale në luftën për të drejtat e njeriut.

Palestinezët janë të ekspozuar ndaj dhunës sistematike që tejkalon kufijtë e durimit njerëzor. Shtëpitë e tyre kthehen në rrënoja, fëmijët e tyre rriten në zona lufte, dhe populli i tyre u është mohuar çdo e drejtë bazë. Institucionet ndërkombëtare i kanë njohur tashmë këto krime – Gjykata Penale Ndërkombëtare ka nisur procese ndaj përgjegjësve – por bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë shumë më tepër për ta ndalur vuajtjen e mëtejshme.

Solidariteti si detyrë e njerëzve të lirë

Shënimi i Ditës së Kudsit nuk është vetëm shprehje e dhembshurisë, por thirrje për veprim. Nuk mund të flasim për njerëzi e humanizëm dhe të injorojmë vuajtjet e të shtypurve. Të mbështetësh të shtypurit kudo në botë është detyrë shoqërore e të gjithë njerëzve të lirë. Nuk mund të kërkojmë paqe, ndërsa mbyllim sytë ndaj padrejtësisë. Kjo ditë është një mundësi për të kujtuar se lufta për drejtësi nuk është vetëm përgjegjësi e popullit palestinez, por e të gjithë atyre që besojnë në barazi, drejtësi dhe dinjitetin e çdo qenieje njerëzore.

Banorët e Gazës po kalojnë ditët më të vështira në historinë e tyre, ndërsa bota përballet me pyetjen: a do të qëndrojë në anën e drejtësisë, apo do të qëndrojë e heshtur përballë krimeve të papara? Dita e Kudsit është mundësia për ta bërë edhe më të zëshëm zërin e atyre që vuajnë.

 

Kategoritë
BotaLajme