Në Itali është hapur një hetim kundër të ashtuquajturve “snajperistë të fundjavës”, të cilët gjatë agresionit ndaj Bosnjë-Hercegovinës paguanin forcat serbe pushtuese të Sarajevës për të qëlluar mbi banorët e qytetit të rrethuar.
Sipas agjencisë italiane Ansa, “ata largoheshin nga Italia duke paguar shuma ‘të konsiderueshme’ ushtarëve serbë për të marrë pjesë në rrethimin e Sarajevës dhe për të shtënë ‘për argëtim’ mbi banorët e kryeqytetit boshnjak gjatë luftës.”
Në Milano është në zhvillim një hetim për të identifikuar këta ‘turistë të luftës’ që morën pjesë në masakrën e më shumë se 11.000 njerëzve midis viteve 1993 dhe 1995, sipas raporteve të gazetave Il Giorno dhe La Repubblica.
Hetimi, për të cilin kishte raportuar më herët edhe Il Giornale gjatë verës, është hapur nga prokurori Alessandro Gobbis, mbi bazën e akuzave për vrasje të qëllimshme me rrethana rënduese – mizori dhe motive të ulëta.
Aktualisht, akuzat janë kundër personave të panjohur dhe burojnë nga një kallëzim i bërë nga gazetari dhe shkrimtari Ezio Gavazzeni, me ndihmën e dy avokatëve dhe ish-gjyqtarit Guido Salvini.
“Turizëm i zi” në kohë lufte
Rrethimi katërvjeçar i Sarajevës solli brutalitete të papara në historinë moderne. Një prej tregimeve më tronditëse është ai për të pasurit e huaj që paguanin shuma të mëdha për të qëlluar mbi civilët sarajevas nga pozicionet snajperike të forcave serbe.
Më 18 nëntor 1994, agresorët nënshkruanin granatat e tyre me dedikime si:
“Përshëndetje të nxehta nga Trebeviqi” —
duke terrorizuar popullsinë civile të qytetit të rrethuar.
Pikërisht për këto ngjarje monstruoze është realizuar edhe filmi dokumentar “Sarajevo Safari”, që tregon se si të huaj të pasur paguanin për të marrë pjesë në vrasjen e civilëve të pafajshëm gjatë rrethimit të Sarajevës./Gazeta e Re
















