Myftiu Naim Tërnava, ka uruar të gjithë nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor.
Ai thotë se është obligim që fëmijët të edukohen, derisa u lut që ky vit i ri shkollor të jetë i mbarë me plot suksese, një vit i ngritjes së cilësisë së edukimit dhe shkollimit, një vit i kultivimit të virtyteve morale.
Urimi i plotë i Myftiut Naim Tërnava:
Të dashur qytetarë,
Vëllezër dhe motra!
“Nxënia e diturisë është obligim për çdo besimtar dhe besimtare.” – Muhamedi a.s.
Sot po e dëshmojmë 1 shtatorin, ditën që shënon fillimin e vitit të ri shkollor për më të dashurit tanë, për fëmijët tanë me të cilët Zoti na bekoi dhe i dha shije dhe kuptim jetës sonë.
1 shtatorin – ditën e parë të shkollës, në rend të parë ua uroj me zemër të gjithë nxënësve tanë anekënd atdheut tonë të dashur, pastaj mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve, të cilët kontribuojnë në edukimin dhe arsimin e brezave, të gjithë prindërve që për shkollimin e fëmijëve të tyre nuk kursejnë asgjë nga vetja, e në fund uroj në veçanti të gjithë shkollarët që sot për herë të parë do të ulen në bankat shkollore.
Të dashur besimtarë!
Si prindër që jemi, kemi për obligim parësor edukimin dhe arsimimin e dhuratës më të çmuar me të cilën na bekoi Zoti Fuqiplotë. Në këto kohëra të vështira me plot sfida, kemi për obligim të shtojmë kujdesin prindëror dhe familjar, që fëmijët tanë t’i edukojmë drejt me vlera të larta morale, si dhe të kultivojmë te ta virtytet e çiltra fetare, kombëtare dhe njerëzore.
Këtij misioni të shenjtë prindëror mund t’ia dalim vetëm nëse kujdesemi – në rend të parë si familje – në mënyrë konsistente dhe duke bashkëpunuar ngushtë me mësimdhënësit në shkolla. Kështu do t’i ofrojmë shoqërisë fëmijë të edukuar dhe të arsimuar, të cilët do të jenë të dobishëm për veten e tyre, për familjen, për vendin dhe për mbarë kombin, e mbi të gjitha, faqebardhë do ta kryejmë misionin e shenjtë prindëror me të cilin na ka nderuar Zoti i Madh.
Lus të Madhin Zot që ky vit shkollor të jetë një vit i mbarë me plot suksese, një vit i ngritjes së cilësisë së edukimit dhe shkollimit, një vit i kultivimit të virtyteve morale!
Me punë, angazhim, këmbëngulje dhe sakrificë, rezultatet nuk mungojnë asnjëherë.
Urime viti i ri shkollor!
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava