Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar në dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke ngritur alarmin për gjendjen aktuale të shtetit dhe mungesën e funksionalitetit institucional në Kosovë.
Në një prononcim dhënë për Lajmi.net, Musliu ka thënë se mënyra më e duhur për të nderuar heronjtë dhe dëshmorët si Afrim Bunjaku është “forcimi i shtetit për të cilin ata ranë”.
“Respekti më i madh për heronjtë dhe dëshmorët si Afrim Bunjaku është forcimi i shtetit për të cilin ata ranë”, tha fillimisht deputetja.
Sipas saj, përkundër sakrificës së madhe të Bunjakut dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe siguri, shteti i Kosovës sot gjendet në një gjendje shqetësuese.
“Fatkeqësisht, sot shteti është më i dobët se kurrë: nën sanksione nga aleatët ndërkombëtarë, pa institucione funksionale dhe me Lideret e UÇK-se të braktisur para një gjygji politik”, tha Musliu.
Deputetja e PDK-së e konsideroi rënien e Bunjakut si një kujtesë të dhimbshme për të gjithë se liria dhe siguria nuk ruhen me fjalë boshe, por me institucione të forta.
“Rënia e Afrim Bunjakut duhet të na kujtojë se liria dhe siguria nuk ruhen me fjalë, por me veprime të qarta dhe institucione të forta. Sot, për fat të keq, jemi larg këtij standardi”, shtoi ajo.
Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi të armatosur në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku forcat e Policisë së Kosovës u përballën me një grup të armatosur serb, të cilësuar nga autoritetet si organizatë terroriste. Sulmi u dënua edhe nga bashkësia ndërkombëtare./Lajmi.net/